Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë se nëse nuk bëhet shpejt një zgjidhje për të mos lejuar shkatërrimin e Telekomit, atëherë, do t’ju prijë 2500 punëtorëve për të kërkuar të drejta në rrugë. Për të mos ndodhur ky skenar, ai u ka bërë thirrje zyrtarëve të Qeverisë të përfshihen në zgjidhjen e kësaj situatë ku një kompani privat po kërkon 25 milionë e 900 mijë euro.
“Jemi duke negociuar. Takimin e radhës e kemi të hënën. Shpresoj shumë se do të gjejmë një marrëveshje që të mos ekzekutohet vendimi i Gjykatës për t’ia marrë Telekomit ato mjete”, ka thënë Bedri Istrefi, Kryeshef i Telekomit.
Ai ka kërkuar ndihmën e Qeverisë për të tejkaluar këtë situatë. Në të kundërtën ka thënë se do të jetë në krye të protestave të 2500 punëtorëve të kësaj kompanie publike.
“Unë do të luaj rolin e kryesindikalistit dhe do të dalë në rrugë bashkë me punëtorët”, ka thënë Istrefi, për Express, të dielën.
Ai ka thënë se nëse dështon Telekomi do të pësojnë edhe 1 mijë e 300 punëtorë të Postës.
“Shpresoj shumë se edhe Qeveria përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonimik do të përfshihet në këtë proces që mos t’i lëmë më shumë se 2 mijë e 500 punëtorët. Po ashtu, edhe 1300 punëtorët e Postës janë të varur nga Telekomi dhe gjithsejtë 3800 punëtorë do të mbesin rrugëve”, ka thënë ai.
Këto paralajmërime të Istrefit vijnë pak ditë pasi Z-Mobile përmes një letre zyrtare i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit që në një afat brenda dy javësh të kryhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove.
Data e dërgesës së kësaj letre shënon 26 prill 2019, që i bie se Telekomit i ka mbetur edhe një javë kohë që ta paguajë këtë borxh.
E në të kundërtën në letër thuhet se Z-mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.
Sipas asaj që shkruhet në dokument, borxhi nga vendimi i Arbitrazhit ka arritur në shumën e 25 milionë e 900 mijë euro.
“Tani vendimi i Arbitrazhit është i përmbarueshëm dhe kamatat ligjore rriten çdo ditë, prandaj vonesat në pagesën e borxhit nga Vendimi i Arbitrazhit më së paku i konvenojnë Telekomit të Kosovës. Duke pasur parasysh të lartcekurat ju lusim që brenda afatit prej 14 ditësh nga data e pranimit të kësaj shkrese të deklaroheni se a dëshironi ta paguani borxhin vullnetarisht, pa nevojë nga ana jonë që të inicohen procedurat e përmbarimit”, thuhet dokument.
“Ne jemi në pritje të propozimit tuaj për ekzekutimin e Vendimit të Arbitrazhit dhe përgjatë afatit të lartshënuar nuk do të marrim veprime tjera ligjore. Në rast të mosgatishmërisë suaj për t ëgjetur zgjidhjen për pagesën e borxhit, ne jemi të detyruar të inicojmë procedurat e përmbarimit, të cilat janë shumë të kushtueshme për Telekomin”, vazhdon letra që mban logon e Z-mobile, por që është dërguar në emër të Dardafon.net LLC si pronare e saj.
Me autorizim të drejtuesve të Z-mobile, nënshkrimin e saj e ka bërë Valon Basha.