Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të kërkojë nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, që të raportojë para deputetëve për çështjen e dialogut me Serbinë. Kjo sipas kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani, duhet të ndodhë para se Hoti të niset për në Shtetet e Bashkuara dhe se sipas saj, kryeministri duhet të debatojë dhe raportojë para deputetëve lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë Republika e Kosovës. “Me vendim unanim të anëtarëve prezentë të kryesisë, unë do t’i drejtohem kryeministrit të vendit, që ai t’i raportojë Kuvendit para se ai të niset për Uashington, për takimin e datës 27 qershor, duke pasur gjithnjë parasysh rëndësinë e çështjes së dialogut dhe duke pasur parasysh rolin mbikëqyrës që duhet ta luajë kuvendi dhe po ashtu detyrimin që e ka qeveria që t’i raportojë kuvendit për çështje të politikës së jashtme”, ka thënë Osmani pas mbledhjes së Kryesisë.
