Në kuadër të mbajtjes së dëgjimeve publike për hartimin e projekt buxhetit të Komunës së Malishevës, 2023-2025, me theks të veçantë për projekt buxhetin për vitin 2023, grupi punues për hartimin e buxhetit, bashkë me drejtorin e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, kanë mbajtur dëgjimin publik me kryetarët dhe qytetarët e vendbanimeve të Komunës së Malishevës, para së cilëve është prezantuar planifikimi buxhetor. Fillimisht, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, e prezantoi planifikimin buxhetor për vitin 2023, të ndarë sipas kategorive buxhetore me theks të veçantë për investimet kapitale, ndërsa kryetarëve dhe kryesive të fshatrave, ju kërkoi që edhe në ditët në vijim, ti dërgojnë kërkesat e tyre për investime, të renditura sipas prioriteteve që kanë si vendbanime. Gjatë debatit, përfaqësuesit e vendbanimeve të Komunës së Malishevës dhe qytetarët e tjerë, i paraqitën kërkesat dhe nevojat e tyre, ku si zakonisht dominuan kërkesat për investime në infrastrukturën në përgjithësi nëpër vendbanime, si kanalizime, sisteme të ujësjellësve, trotuare dhe për rrugica nëpër fshatra.