Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ish zëdhënësin e NATO-së gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Jamie Shea. Kryetari duke i shprehur mirëseardhje, u shpreh se qytetarët e Kosovës do t’i jenë mirënjohës përgjithmonë që ishte zëri i tyre në botë, por edhe zë i Aleancës më të fuqishme në botë që sillte shpresë dhe besim.
“Që nga lufta, Kosova ka ecur përpara shumë. Është zhvilluar në të gjithë sektorët”, u shpreh Presidenti Thaçi. “Kemi arritur suksese të mëdha, na presin sfida të mëdha, por jemi në rrugën e duhur, me energjinë dhe vullnetin e duhur”, u shpreh Thaçi.
Nga ana tjetër, Jamie Shea u shpreh i lumtur me zhvillimin e Kosovës, me të arriturat si dhe me gatishmërinë që institucionet e shtetit të Kosovës kanë për t’u përballur me sfidat.
“NATO mbetet e përkushtuar në dhe për Kosovën”, u shpreh ai. Kryetari Thaçi u shpreh se me angazhimin për dialog, për transformim të FSK-së në koordinim me partnerët ndërkombëtarë Kosova nga një konsumuese e kapaciteteve të sigurisë do të transformohet në eksportuese të paqes e sigurisë, në rajon e më gjerë.