Kryetari Aliu e ka pritur në zyrën e tij kirurgun Dr. Ramadan Jashari

Në mesin e mjekëve të kalibrit botëror, që meritueshëm renditet lartë në majat e shkencës mjekësore, me dijen e tij enciklopedike, me aftësitë e rralla profesionale, është edhe mjeku i plejadës së artë të shëndetësisë ferizajase, kirurgu i  përgjithshëm, kirurgu i zemrës, eksperti i transplantimeve të indeve kardiovaskulare, mjeku që iu besua shëndeti i mijëra qytetarëve e në mesin e tyre shumë personalitetesh e udhëheqësish të lartë shtetesh, i papërsëritshmi, Dr. Ramadan Jashari. Me këtë rast kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu e ka pritur në zyrën e tij dhe ka bashkëbiseduar për çështje të ndryshme. Dr. Ramadani, studioi mjekësinë në Universitetin e Rijekës në Kroaci ku diplomoi më 1979. Viti i parë i karrierës së tij nisi në qytetin e Ferizajt, në Shtëpinë e Shëndetit për të kaluar më 1981 në Klinikën e Kirurgjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë ku filloi specializimin nga kirurgjia e përgjithshme, e ku specializoi më pas në Zagreb për të përfunduar paralelisht edhe studimet pasuniversitare në kirurgjinë e përgjithshme në Universitetin e Zagrebit. Punoi mjek në Klinikën e Kirurgjisë së Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë e po ashtu edhe asistent profesor në këtë lëndë. Specializoi gjithashtu në Tokio të Japonisë në onkologji dhe ekografi abdominale, të cilën e aplikoi në QKUK që nga viti 1989, për tu përjashtuar më 1990 nga organet e dhunshme serbe në këtë klinikë, por pa e ndalur angazhimin e tij profesional, me ç’rast hapi poliklinikën e parë private në Kosovë për kirurgji të përgjithshme në fshatin e lindjes Doganaj të Ferizajt, ku bashkë me mjekë të shquar ferizajas ushtruan veprimtarinë profesionale duke ofruar shërbime pa pagesë për shumë bashkëqytetarë në nevojë. Gjatë kësaj periudhe, Dr. Ramadani ishte një nga nismëtarët e themelimit të shkollës së infermierisë në Ferizaj, ku ligjëroi lëndën e kirurgjisë, derisa diktuar nga gjendja shoqërore-politike në atë kohë, në shtator 1992, mbetur pa një opsion tjetër, bashkë me familjen emigroi në Belgjikë, ku nisi punën deri në rregullimin e dokumenteve, si vullnetar në repartin e kirurgjisë digjestive të Klinikës “Onze Lieve Vrouw” në Aalst të Belgjikës, për të vijuar tutje në po këtë klinikë angazhimin në kardiokirurgji deri në fund të vitit 1995. Dr. Ramadani, vazhdoi specializimin në Klinikën universitare “Gasthuisberg” në Leuve, gjersa më 1997 fillon aktivitetin ne Bankën Evropiane të Indeve Kardio-vaskulare (EHB), ku edhe sot mban një aktivitet me orar të shkurtuar. Punoi gjithashtu, në Klinikën ZOL “Ziekenhuis Oost Limburg” në Genk të Belgjikës ku praktikoi kirurgjinë endoskopike dhe kardiokirurgjinë, gjersa prej 1 shtatorit 2000 i bashkëngjitet ekipit të kardiokirurgjisë në Klinikën “Sint Jan” në Bruksel, ku do të praktikoj aktivitetin e tij në kardiokirurgji deri më 2019, kur pensionohet nga kardiokirurgjia. Dr. Ramadani më 2001 kaloi me sukses provimin para Bordit Evropian të Kardiokirurgëve (titulli FETCS ose “Fellow Evropian për kirurgji torakale dhe kardio-vaskulare”) në Lisbonë të Portugalisë, prej janarit të vitit 2008 deri më 1 korrik 2021 ka drejtuar Bankën Evropiane të Homografteve Kardio-Vaskulare si Drejtor Medikal, kur tërhiqet nga ky post dhe vazhdon nje aktivitet të kufizuar si këshiltar i Drejtorit të emëruar pas tij. Ishte gjithashtu anëtar i Bordit drejtues të Shoqatës së Kardiokirurgëve të Belgjikës, anëtar i  Bordit të Asociacionit Evropian të Bankave të Indeve (EATB), kryetar i kësaj Organizate ndërkombëtare dhe anëtar i Këshillit Botëror të Unionit të Asociacioneve të Bankave të Indeve, anëtar Nderi i EATB-së), anëtar i CAT-it (Komiteti Evropian për Terapi të Avancuara), anëtar i Këshillit të Lartë Medikal të Ministrisë së Shëndetësisë të Belgjikës, anëtar i Komitetit Evropian për Transplantim të Organeve (CD-P-TO) të Këshillit Evropian në Strasbourg të Francës, anëtar i Bordit Redaktues të Revistës Ndërkombëtare “Cell and Tissue Banking”. Dr. Jashari, si ekspert i dalluar në lëmin e transplantimit të indeve kardio-vaskulare, ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në realizimin e  disa projekteve ndërkombëtare, si: Euro-GTP 1 dhe 2 (“Good Tissue Practices” ose “Praktikat e Mira për Indet”), ESPOIR (“Projekti Evropian për Transplantimin e Indeve Regjenerative”), dhe ARISE (Projekti Evropian për transplantimin e valvulave aortike regjenerative) si përgjegjës i donacionit Valvular të Zemrës; Projekti Evropian Do-He-Ca (“Kujdesi shëndetësor i Dhuruesve të Indeve dhe Organeve”), anëtar i Këshillit Teknik për Donacionin e Organeve dhe Indeve të OB të Shëndetësisë në Gjenevë të Zvicrës dhe i ECDC (Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve), që ka të bëjë me transplantimin e indeve dhe të organeve. Ka mbi 150 prezantime shkencore anembanë botës si në Afrikën e Jugut, Angli, Australi, Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Gjermani, Finlandë, Francë, Holandë, Hong Kong, Hungari, Indi, Indonezi, Irlandë, Itali, Kinë, Kosovë, Kroaci, Luksemburg, Portugali, Singapur, Skotlandë, Slloveni, Shqipëri, SHBA, Spanjë, Suedi, Zvicër etj. Është autori i parë ose bashkautorë i 76 publikimeve shkencore në revista botërore në lëmin e transplantimeve të indeve kardiovaskulare dhe në atë të kardiokirurgjisë. Prej vitit 2013 është mësimdhënës në Universitetin e Barcelonës në dy kurse Ndërkombëtare për Transplantimin e Organeve (“Master Internacional në Donacionin dhe Transplantimin e Organeve, Indeve dhe Qelizave” dhe në “Kursin Ndërkombëtar të Bankave të Indeve dhe Terapitë e Avancuara”. Prej vitit 2022 është Drejtor pedagogjik i Kursit të Bankave të Indeve dhe Terapive të Avancuara në Barcelonë. Dr. Ramadan Jashari ishte anëtar permanent i Këshillit Ndërkombëtar Shkencor në të gjitha Kongreset e EATB-së (tani EATCB)  si dhe i disa kongreseve tjera ndërkombëtare dhe botërore. Në korrik të vitit 2019 është pensionuar në kardiokirurgji, mirëpo ka vazhduar aktivitetin e tij në lëmin e transplantimit të indeve kardiovaskulare me aktivitet të kufizuar. Përfundoi aktivitetin e tij profesional më 31 maj të vitit 2023. Dr. Ramadani ka një familje të mrekullueshme, me bashkëshorten Shpresa dhe fëmijët Etritin, Shelbatrën, Bleartën dhe Rritën. Ai jeton në Bruksel, Belgjikë gjersa me punën e tij profesionale, bën krenarë çdo shqiptarë anembanë botës, kalibri i tij profesional dhënë mjekësisë botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …