Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu ka mirëpritur të enjtën në takim drejtuesit e Organizatës Caritas Kosova në krye me Drejtorin Gjeneral, Don Viktor Sopi.
Në postimin e kryetarit Aliu në rrjetin e tij social facebook thuhet:
“Organizata Caritas Kosova ishte e mbetet aleate e jona në ofrimin e shërbimeve, realizimin e përbashkët të nismave e projekteve me dobi të drejtpërdrejt për qytetarët. Kënaqësi e veçantë të mirëpres drejtuesit e saj, për të vënë kornizat e bashkëpunimeve tona të reja”, ka shkruar kryetari Aliu.
Veprimtaria e Caritas Kosova është zgjeruar jashtëzakonisht shumë, përveç Selisë Qendrore e cila është në Ferizaj, Caritas Kosova ka Zyret Regjionale në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë dhe Leposaviq. Po ashtu, përmes zyrave të projekteve Caritas Kosova aktualisht është prezent edhe në: Gjilan, Viti, Shtime, Istog, Suharekë, Fushë Kosovë, Skënderaj, Obiliq, Drenas.