Kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu ka ngushëlluar familjen Xhemajli me rastin e ndarjes nga jeta të Fatime Xhemajli, nëna e ish kryetarit të Ferizajt, z. Bajrush Xhemajli.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
Me dhembje e pikëllim, mora lajmin për ndarjen nga jeta të nënës simbol të qëndresës, sakrificës, atdhedashurisë, nënës Fatime Xhemajli.
Nëna Fatime i dha Kosovës veprimtarët nga më të dalluarit të çështjes kombëtare, atdhetarët sypatrembur, i dha Kosovës Bajrush Xhemajilin, Mustafën, Emrushin, Qamilin, Mufailin, Nazifen e Lumnijen secili nga ta emra të përveçëm, të skalitur përjetësisht me kontributin e tyre në historinë e themelet e lirisë së Kosovës, kontribut e lavdiplotë për të sotmen që gëzojmë si shtet e shoqëri.
Nëna Fatime, qëndroi e palëkundur, përballë sakrificave të panumërta për dekada, heroinë e shembëlltyra më fisnike e nënës shqiptare.
Ngushëllime të sinqerta familjes Xhemajli, bashkëveprimtarëve, miqve e të gjithë të njohurve të të ndjerës.
Pushoftë në parajsën e paskaj, shpirti i saj fisnik!