Në 21 Marsin e Poezisë, Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu të gjithë krijuesve letrar dhe adhuruesve të fjalës poetike ju uron Ditën Botërore të Poezisë, me vargjet e mrekullueshme të bashkëqytetarit, ish të burgosurit politik, poetit Besim Zymberi me rastin e jubileut të 150-të të themelimit të Ferizajt.
Ferizaj-150 vjet qytet
Usta Feriz, u bënë 150 vjet
Qëkur Bir’ i Frëngut të bëri shenjë binanë
Nga bina e yte u bë njê qytet
Dhe ne si një fëmije i bëjmë temenanë
Usta Feriz, ti mund t’mos e kesh marrë vesh
Ç’dodhi pas teje e deri më sot
Ushtri të tëra, si tufane resh
Mbi binanë tënde mbollën aq shumë mort
Ishin osmanët, serbët, ca italianë
Mes tyre, edhe gjermanë bullgarë, austrohungarezë
Vetëm sa s’ngritëm duart e nuk thamë
E pat, kur të kap zverkun magji e zezë
Por, hyjnitë na vunë krahë, Usta
Dhe ne nuk u thyem, nuk u shtrimë
Sepse, britëm:- ju, kurrë s’munden ata
Gjoksin tonë ta kthejnê në shpinë
Sot, sikur të ishe e ta shihje vetë me sy
Qytetin, që i mbolle emrin vetë
Kur me çdo gur e tullë të kujton ty
Dhe mes klithmash e britmash emrin tënd thërret
Feriz Usta, pusho i qetë në paskajshmëri
Dhe të Birit të Frëngut jepi një kupë dhallë
Kur skajeve të qiellit ta ndieni një bori
Ta dish, ende ai Kali i Hekurt sillet vërdallë…
Usta Feriz, ja që vitet ikin flakë
Sa hap e mbyll sytë u bënë 150 vjet
Qëkur në binanë tënde hasrete, dikur…ishte natë…
U mboll e u rrit mes dhembjesh një qytet.
Gëzofshim bashkë, Usta, sa jetë në tokë të ketë…