leoni

Kryetari Bahtiri dhe ministri Murati biseduan për pritjen e bashkatdhetarëve nga Diaspora

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur ministrin e Diasporës, Valon Murati, me të cilin ka biseduar për pritjen dhe ofrimin e  shërbimeve sa më të mira për bashkatdhetarët tanë me qëndrim në shtetet e ndryshme të botës, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Ministri Murati, tha se vizita e tij në Mitrovicë është në kuadër të turneut që ai ka filluar nëpër komunat e Kosovës, me qëllim të mobilizimit të tyre për pritjen e bashkatdhetarëve.

“Ka shumë probleme të ndryshme me të cilat po ballafaqohen bashkatdhetarët tanë nga diaspora, të cilët zakonisht i kalojnë pushimet në vendin tonë, duke filluar që nga hyrja në vendkalimet zyrtare e deri tek arritja në vendbanimet e tyre. Ne, ashtu sikur edhe viteve të mëparshme, edhe sivjet  kemi marrë këtë iniciativë në mënyrë që së paku t’i presim mirë bashkatdhetarët tanë gjatë muajve të verës dhe tu ofrojmë shërbimet e kërkuara gjatë kësaj kohe”, tha ministri Murati.

Në kontekst të kësaj, u diskutua mundësia e zgjatjes së orarit të punës gjatë muajve të verës në shërbimet e ndryshme komunale, në mënyrë që bashkatdhetarëve tu ofrohen shërbime pa pritur në radhë.

Kryetari Bahtiri, tha se në komunën e Mitrovicës çdo gjë është gati për pritjen e bashkëqytetarëve tanë që do të qëndrojnë gjatë verës këtu, duke përmendur zgjatjen e orarit të punës deri në ora 19:00 qysh moti, pastaj hapjen e e-kioskave për nxjerrjen e  dokumenteve, si dhe përgatitjen e disa sektorëve tjerë për ofrim të shërbimeve gjatë tërë ditës.

Kryetari Bahtiri dhe ministri Murati, biseduan edhe për organizmin e aktiviteteve të ndryshme për bashkatdhetarët tanë, me qëllim të njoftimit të tyre me të arriturat nëpër komuna dhe për mundësitë që ofrojnë komunat për investime në realizimin e projekteve të ndryshme, për të cilat ata janë të interesuar.

Po ashtu, bashkëbiseduesit u dakorduan se duhet të vazhdoj edhe gjatë kësaj vere regjistrimi i bashkatdhetarëve që vijnë në Kosovë për të kaluar pushimet e tyre, si dhe që zyrtarët komunalë që merren me çështjet e diasporës, të kenë lidhje më të fuqishme me Ministrinë e Diasporës, me qëllim që të koordinohen aktivitetet për pritje dhe organizim sa më të mirë të shërbimeve për bashkatdhetarët tanë.

Kryetari Bahtiri dhe ministri Murati biseduan edhe për organizimin e takimeve tradicionale me bashkatdhetarë me moton “Ti je pjesë e atdheut”, në të cilat përveç fjalëve të drejtuesve komunalë dhe atyre të Ministrisë, do të ketë edhe aktivitete të ndryshme kulturore e sportive.

Ky aktivitet në komunën e Mitrovicës do të mbahet të dielën, më 31.07.2016, në ora 10:00, në Bajgorë të Shalës. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë edhe bashkatdhetarët tanë nga rajoni i Mitrovicës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …