Kryetari Bashota priti në takim komandantin e BSHP-së të KFOR-it Kolonelin Imperia

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, është takuar me komandantin e Batalionit Shumëkombësh – Perëndim MNBG-W të KFOR-it, kolonel Stefano Imperia, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në këtë komunë dhe zhvillimet tjera.

“Raportet ndëretnike janë më të relaksuara në krahasim me vitet e mëparshme. Qytetarët lëvizin lirshëm. E kaluara nuk guxon të jetë pengese për të ardhmen”, ka thënë Bashota, sipas të cilit Klina është shembull në Kosovë edhe për raporte të mira ndër fetare. “ Klina përçon një mesazh të mirë dhe ekstremizmi fetar nuk ka hapësirë për veprim”, theksoi Bashota, i cili falënderoi KFOR-in që ka qenë pjesë e të gjitha proceseve në këtë komunë.

Në anën tjetër, kolonel Stefano Imperia, ka shprehur kënaqësinë që marrëdhëniet ndëretnike janë normalizuar. “ Mandati ynë është që të krijojmë kushte në rrugëtimin tuaj të sigurt. Sukseset tuaja njëherësh janë edhe sukses yni. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në këtë rrugëtim. Mund të na kontaktoni në çdo rast dhe ndihmën tonë do ta keni”, i ka thënë Bashotës, koloneli italian.

Shefi i Zyrës së CIMIC-it Italian, që vepron në kuadër të KFOR-it në këtë zonë, ka njoftuar se pritet realizimi i një projekti në QKMF “ Nënë Tereza” në Klinë, që ka të bëjë me pajisje me disa aparatura shëndetësore.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …