Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, priti të premtën një delegacion nga Komuna e Orhangasit të Turqisë, të udhëhequr nga kryetari Bekir Aydin. Ky takim, i cili përfaqëson një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy qyteteve, është pjesë e një binjakëzimit mes dy komunave që nga viti 2010.
Delegacioni turk përfshinte gjithashtu anëtarë të Kuvendit të Komunës së Orhangasit, Adnan Atilla dhe Sayim Yeşil, si dhe përfaqësues të shoqatave të kosovarëve në këtë rajon, Niyazi Muslu dhe Hüseyin İşcan. Pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe prania e kryetarit të degës së Bashkësisë Islame në Malishevë, Sead Paçarizi.
Në fillim të takimit, kryetari Kastrati i uroi mirëseardhje delegacionit dhe e vlerësoi vizitën si një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes qyteteve dhe dy popujve. Ai theksoi gatishmërinë e Komunës së Malishevës për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Orhangasin. Kastrati e informoi delegacionin mbi zhvillimet e fundit në Malishevë, duke theksuar se, pas luftës, komuna ka kaluar nëpër një periudhë sfiduese, duke u shkatërruar në mënyrë drastike, por që tani është duke u zhvilluar në mënyrë të dukshme, sidomos në aspektin infrastrukturor, por duke mos lënë anash as fushat tjera të jetës.
Kryetari i Orhangasit, Bekir Aydin, shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Malishevë, duke e konsideruar këtë qytet si një qytet vëllazëror. Ai falënderoi Kastratin për pritjen e ngrohtë dhe e ftoi atë për një vizitë në Orhangasi, duke shprehur admirimin për të gjitha zhvillimet pozitive në Malishevë dhe Kosovë në tërësi.
Ish kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi, gjithashtu përshëndetën delegacionin turk, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi për forcimin e marrëdhënieve mes dy komuniteteve.
Kjo vizitë e delegacionit nga Orhangasi jo vetëm që thekson lidhjet e mes dy vendeve, por gjithashtu nënvizon angazhimin e përbashkët për një të ardhme më bashkëpunuese mes dy qyteteve.