Kryetari i komunës ë Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarë. Ai prezantoj para qytetarëve pjesëmarrës një raport vjetor të punës dhe planet e qeverisjes së tij për vitin e ardhshëm. Takimi nisi me një video prezantim nga Plus Televizion, që përmblidhte arritjet e komunës gjatë vitit 2024. Ndërsa më pas kryetari Haliti foli për detajet e projekteve të realizuara dhe sfidat gjatë këtij viti. Gjithashtu në këtë takim qytetarët patën mundësinë që të japin mendimet e tyre rreth punës së komunës si dhe të parashtrojnë pyetjet, kërkesat apo vërejtjet e tyre.
Në fillim të këitij takim një fjalë rasti e mbajti zv. kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i cili falënderoj kryetarin Haliti për angazhimin e tij një vjeçar në interes të qytetarëve të komunës së Vitisë.
Ndërkaq këtë takim i pari i komunës foli për arritjet dhe sfidat që ka pasur qeverisja komunale gjatë vitit 2024. “ Gjatë vitit 2024, kemi punuar pa u ndalur për të përmirësuar kushte më të mira jetese, për të zhvilluar infrastrukturën dhe për të ofruar shërbime më cilësore në çdo fushë. Ky raport që do të prezantojmë sot është një pasqyrë e angazhimit tonë dhe një mundësi për të pasur një diskutim të hapur mbi atë çfarë kemi arritur dhe çfarë mbetet për t’u bërë. Në këtë raport do të paraqesim aktivitetet kryesore dhe projektet që janë realizuar gjatë vitit 2024. Kjo përfshin ndihmën dhe mbështetjen për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, përmirësimin e shërbimeve publike, investimet në arsim dhe shëndetësi, si dhe nismat për zhvillimin ekonomik dhe mbështetje për bizneset vendore.”, u shpreh kryetari Haliti. Ai poashtu theksoi se ky takim është edhe një mundësi e mirë për të dëgjuar mendimet dhe sugjerimet e qytetarëve vitias.
Gjatë takimit, Haliti prezantoi edhe aktivitetet e drejtorive komunale, duke shpalosur projektet kryesore të realizuara dhe ato të planifikuara për vitin 2025. Në pjesën e dytë të debatit, qytetarët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë për çështje që prekin jetën e përditshme të tyre. Kryetari u zotua se edhe në vitin 2025, qeverisja lokale do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të realizuar projekte që adresojnë nevojat e tyre.