Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur në zyrën e tij nxënësin vitias Dion Aliu, i cili ka zënë vendin e parë në Olimpiadën e Matematikës së Kosovës. Sipas këtij nxënësi kjo olimpiadë e matematikës është organizuar nga Shoqata e Matematikës së Kosovës dhe Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore Prishtinë, ku kanë marrë pjesë nxënës nga të gjitha shkollat e Kosovës. Me këtë rast Kryetari Haliti i tha të riut vitias se ai ndihet krenar me sukseset e qytetarëve të kësaj komune, në veçanti të nxënësve të cilët po tregojnë rezultate të larta në mësimnxënie. Gjithashtu në shenjë respekti për sukseset e arritur kryetari Haliti i ndau Dion Aliut një mirënjohje dhe e përgëzoi për suksesin e arritur.