Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka pritur në një takim mërgimtarët e komunës së Vitisë, që jetojnë e punojnë në botën e jashtme. Fillimisht, ai iu dëshiroi atyre mirëseardhje dhe pushime të këndshme në vendlindje pranë familjeve. Njëkohësisht i ka njoftuar mërgimtarët me gjendjen aktuale në këtë komunë, e gjithashtu edhe për gjatë vitit 2020, rreth përballjes me Pandeminë Covid 19 dhe menaxhimin institucional. Kryetari Haliti, u ka shprehur falënderim mërgimtarëve për mbështetje dhe ndihmesë të familjeve në nevojë edhe gjatë periudhës së përballjes me situatën epidemiologjike, por edhe për kontributin e gjithëmbarshëm që po jep mërgata në vazhdimësi.