Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Gjatë takimit, kryetari Haliti dhe ambasadori Hargreaves diskutuan për projektet dhe planet zhvillimore ekonomike, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve vitias dhe forcimin e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës.
Gjithashtu, ata shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e gjithmbarshme në komunën e Vitisë. Me këtë rast, kryetari Haliti falënderoi ambasadorin britanik për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar si aleat i ngushtë të Kosovës në të gjitha proceset shtet formuese. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Në anën tjetër, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves u shpreh i kënaqur për mikpritjen që iu bë në Viti, duke potencuar se ambasada britanike ka një lidhje speciale me këtë komunë. Ai vlerësoi përpjekjet e komunës së Vitisë në zhvillimin e infrastrukturës, mbështetjen për bizneset vendore dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. “Është gjithmonë kënaqësi të takoj njerëz që merren me aktivitete të ndryshme dhe biznese. Jam i impresionuar me kontaktet dhe bashkëpunimin që keni me vende dhe institucione të ndryshme, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar” , u shpreh ambasadori Hargreaves. Ai po ashtu theksoi se është i sigurt që miqësia në mes tyre do të vazhdojë të forcohet edhe më tej. Gjatë takimit, kryetari Haliti e njoftoi ambasadorin me zhvillimet e përgjithshme në komunën e Vitisë, duke përfshirë bashkëjetesën ndëretnike, mundësitë për investime, partneritetet komunale dhe ndërkombëtare, si dhe projektet e ardhshme që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Pas këtij takimi kryetari Haliti dhe ambasadori Hargreaves zhvilluan një takim me afaristë dhe fermerë vitias. Ambasadori u interesua për aktivitetet e tyre, përparësitë që ofron tregu lokal dhe sfidat me të cilat përballen bizneset dhe bujqësia në këtë komunë. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes për zhvillimin e sektorit privat. Gjatë këtij takimi kryetari Haliti ia bëri ambasadorit britanik një dhuratë simbolike. Ata më pas vizituan edhe memorialin e gazetarit të vrarë britanik Krem Lawton ku vendosën edhe kurore lulesh si dhe pemën në qytetin e Vitisë që i kushtohet mbretëreshës Elizabeth II.