Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot takim përfaqësues të Shoqatës Humanitare “Entr-Aides”, të udhëhequr nga z. Cédric Bonnébault. Gjatë këtij takimi, ata diskutuan mundësinë e organizimit të një programi për vendosjen e 5 studentëve zviceranë dhe një profesori në familje të ndryshme vitiase dhe atë për një periudhë të shkurtër, me qëllim promovimin e shkëmbimit kulturor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për një aksion humanitar të përbashkët, që ka për qëllim të ndihmojë me pako ushqimore 300-500 familje në nevojë, që kryesisht përballen me vështirësi financiare në territorin e komunës së Vitisë.
Kryetari Haliti theksoi se ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm, jo vetëm për të forcuar lidhjet mes dy kombeve, por edhe për të mbështetur ata që kanë më nevojë.
Kryetari Haliti gjithashtu shprehu gatishmërinë e komunës së Vitisë për të mbështetur çdo iniciativë që kontribuon në zhvillimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në forcimin e lidhjeve.