Kryetari Haliti vizitoi objektin në ndërtim të shkollës “Halil Alidemaj” në Pozheran

Sot, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, me bashkëpunëtor, vizitoi objektin e shkollës shkollën “Halil Alidemaj” për të parë nga afër situatën dhe për të diskutuar me stafin arsimor dhe përfaqësuesit këtij lokaliteti. Ndërtimi i objektit të ri të Shkollës së Mesme e Ulët “Halil Alidemaj” në Pozheran, po vazhdon të përballet me vonesa të mëdha sa i përket finalizimit të tërësishëm të këtij projekti, gjë që ka shkaktuar shqetësim të thellë tek Institucionet lokale,  nxënësit, prindërit dhe stafi arsimor. Punimet për ndërtimin e objektit të ri, të cilat pritej të përfundonin vite më parë, janë ndalur për një kohë të gjatë, pa asnjë përparim të dukshëm. Kjo situatë vjen si pasojë e neglizhencës së institucioneve qendrore, të cilat duket se nuk kanë arritur të sigurojnë mbështetjen dhe fondet e nevojshme për përfundimin e projektit.  Kryetari  Haliti shprehu shqetësimin e tij për gjendjen e objektit dhe premtoi se do të angazhohet për të shtyrë përpara këtë çështje në nivel qendror dhe ritheksoi se është e papranueshme që fëmijët e Pozheranit të vijojnë mësimet me orar të shkurtuar e  në kushte të tilla,  dhe se ndërtimi i objektit të ri duhet të jetë prioritet për të gjithë. Komuniteti lokal, megjithatë, mbetet skeptik për përmirësimin e situatës, duke kërkuar veprime konkrete dhe urgjente nga të gjitha palët e përfshira. Neglizhenca në përfundimin e këtij projekti jo vetëm që pengon zhvillimin e infrastrukturës arsimore në Pozheran, por gjithashtu dëmton perspektivën e nxënësve, të cilët presin një ambient më të mirë për mësim dhe zhvillim. Vizita e kryetarit të Komunës, shënon një hap drejt zgjidhjes së kësaj situate, por zgjidhja përfundimtare kërkon një angazhim të plotë dhe të vazhdueshëm nga institucionet qendrore për të siguruar që ky projekt të përfundojë sa më parë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …