Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar takimet me liderë shtetëror gjatë qëndrimit të tij në Rio të Brazilit. Sipas komunikatës nga Presidenca, ai ka takuar zëvendës-kryetarin e Brazilit, Mishel Temer, të cilin e ka falënderuar për pritjen e ngrohtë që i ka bërë përfaqësuesve të Kosovës, në Brazil. Në takim me z. Temer, Thaçi ka kërkuar që të ruhen kontaktet ndërmjet dy shteteve dhe të ndërtohet bashkëpunimi në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë. Gjatë qëndrimit në Rio, Thaçi ka takuar edhe Presidentin e Argjentinës, Mauricio Makri. Edhe me kryetarin e Argjentinës, Thaçi ka biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, duke kërkuar që të gjenden forma të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Të gjithë përfaqësuesit e këtyre shteteve, presidenti Thaçi i ka ftuar që t’i bashkohen 112 shteteve të botës, që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Më herët, Thaçi ka takuar edhe sekretarin e shtetit amerikan, Xhon Kerry, kryetarin e e Francës Fransua Hollande dhe kryeministrin italian, Matteo Renzi.
Lëvizja Vetëvendosje!, ka vlerësuar së ura e Ibrit nuk lirohet me negociata e marrëveshje të ministres për dialog, Edita Tahirit. “Dje kuptuam se Edita Tahiri, shërbyesja e bindur e dialogut me Serbinë, dialog të cilës askush më nuk po i beson, po e vazhdon pandalshëm avazin e takimeve me zyrtarët e Serbisë. Sërish paska nënshkruar Marrëveshje me Serbinë për lirimin e urës mbi lumin Ibër. Çështja e parë që të bie ndërmend është fakti skandaloz që tashmë është normalizuar. Për urën mbi lumin Ibër, palë e pakontestueshme është Serbia. Pra, që ura mbi Ibër të lirohet, apo sovraniteti shtetëror të shtrihet në këtë pjesë të vendit, na duhet leja e Serbisë. Situata bëhet tragjikomike kur e sheh se as pas gjithë këtyre viteve negociata nuk e kanë kuptuar që këtë leje s’do ta marrin ndonjëherë”, është thënë në reagimin e Vetëvendosje!-s.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shprehur shqetësimin e tij për përmbytjet e fundit të cilët ndodhën në Hasanbeg. Ai thotë se është i gatshëm për çdo gjë të ndihmojë vallezërit dhe motrat në Maqedoni. “Ndjekim me dhimbje e shqetesim zhvillimet tragjike ne Maqedoni! Gati per çdo gje mundemi per te ndihmuar vellezerit, motrat dhe fqinjet tane!” ka shkruar Rama. Deri tani janë gjetur 21 persona të vdekur ku rritja e të vdekurve nga përmbytja vazhdon. Të paktën 25 persona kanë humbur jetën nga vërshimet që përfshinë rajonin e Shkupit një natë më parë.
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Bler, më i merituari në aksionet e NATO-s kundër Serbisë gjatë luftës në Kosovës, miku i madh i shqiptarëve, ka qëndruar për një vizitë jo zyrtare në Shqipëri, me ç’ rast është takuar me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Udhëtimi i ish-kryeministrit Britanik në Shqipëri nuk kishte qenë i planifikuar, raporton gazeta “Daily Mail”. Bler dhe Rama kanë qëndruar në fshatin turistik, Dhërmi, në jug të Shqipërisë, ku kryeministri, Rama ndodhej në pushime. Toni Blair, tani në moshën 63 vjeçare, raportohet të ketë mbërritur atje me një helikopter, ushtarak i cili, kishte aterruar në stadiumin e Himarës. Një zëdhënës i kryeministrit, Edi Rama ka deklaruar për mediet se Tony Blair ishte “në një vizitë të shkurtër e private, në Shqipëri”. Edhe zyra e Tony Blairit në Londër ka konfirmuar se vizita e tij ishte e shkurtër dhe private.
Qeveria e Kosovës, nëpërmes një komunikate bën të ditur se i ka përcjellë me shqetësim dhe dhimbje të madhe dëmet e shkaktuara nga moti i lig, që kanë ndodhur, në Maqedoni. “Qeveria e Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për qytetarët dhe Qeverinë e Maqedonisë si dhe për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie natyrore dhe shpreh gatishmërinë e plotë që të ofrojë ndihmën e saj të pakursyer për shtetin fqinj Maqedoninë, në çdo aspekt ku ka mundësi, për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së krijuar, Qeveria po ashtu, thekson gatishmërinë për të dërguar në ndihmë njësite të specializuara për kërkim dhe shpëtim në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në rast nevoje.
Me rastin e stuhisë që goditi Maqedoninë, rajonin e Shkupit dhe të Tetovës, kryetari i këtij shteti Gjorge Ivanov, ka dhënë urdhër për aktivizimin e ushtrisë dhe kë bërë thirrje për të vënë të gjitha kapacitetet e mundshme në dispozicion për të ndihmuar në zbutjen e dëmeve të shkaktuara nga stuhia. Personat përgjegjës nga Ushtria në koordinim me shtabet të krizës tashmë janë në teren dhe në vendet që konsiderohen në momente më kritike dhe janë të përfshirë në mënyrë aktive në ndihmë të qytetarëve në nevojë, njofton TetovaSot. Mediet në Maqedoni kanë raportuar se nga moti i keq ka humbur jetën një grua por ky informacion nuk është konfirmuar nga autoritetet kompetente.
Edhe dy ditë pas sulmit mbi objektin e Kuvendit të Kosovës nga persona ende të panjohur Policia e Kosovës, vazhdon të kërkojë autorët e sulmit me granatë, Ajo ka shtuar masat e sigurisë përreth objektit të Kuvendit ndërkohë që ka kërkura nga qytetarët të ofrojnë informata, duke premtuar 10.000 euro për ata që zbulojnë ndonjë të dhënë të besueshme. Si pasojë e sulmit të fundit, tashmë përreth objektit të Kuvendit të Kosovës vazhdimisht po qëndrojnë forca policore, të cilat nga afër po vëzhgojnë objektin e institucionit më të lartë shtetëror, me rastin e sulmit me granatë.