Përkundër pozitës e cila thotë se është “buxhet historik”, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur se për herë të parë në historinë e Kosovës, kemi një buxhet më të vogël në krahasim me vitin paraprak. Në një postim Haradinaj ka përmendur disa çështje që sipas tij e vërtetojnë atë që e thotë ai. “Buxheti i paraparë në kufijt e shpenzimeve 3 miliardë e 212 milionë euro, nominalisht 10.8% më i madh sesa ai i vitit 2022, në fakt është për një të katërtën më i vogël. Nëse shumës së paraparë, ia zbresim 20% inflacion (sipas Bankës Botërore) dhe inflacionin prej 4.3% që qeveria e ka paraparë për vitin 2023, atëherë vlera reale e buxhetit bie në 2.5 miliardë, e që është 400 milionë euro më i vogël sesa buxheti i vitit 2022. Për të qenë më i qartë, qytetarët që marrin paga nga shteti, shërbyes civilë, pensionistë dhe të gjitha kategoritë e tjera, do të jenë për 25% më të varfër krahasuar me 2022, sepse me pagat e tyre do të blejnë 25% më pak mallra të konsumit”, ka shkruar Haradinaj.
