Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, dje ka takuar, ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend. Haradinaj ka thënë se e ka njoftuar Hovenier për temat e diskutimit gjatë takimeve që ka pasur në Departamentin e Shtetit, në Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, në Pentagon, Kongres dhe në Senat. Haradinaj ka kërkuar që të ndodhë me hapa të përshpejtuar anëtarësimi i Kosovës në NATO. Gjithashtu, ai ka falënderuar ambasadorin, Hovenier për angazhimin e Ambasadës së Amerikës në Kosovë në mbështetje të vizitës që e ka realizuar në Amerikë. Ambasadorin Hovenier e njoftova për temat e diskutimit gjatë takimeve që kisha në Departamentin Amerikan të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Pentagon, Kongres dhe në Senat, ku kërkova që dialogu strategjik Kosovë-Amerikë të shtrihet në marrëdhënie bilaterale dhe të ndodhë me hapa të përshpejtuar anëtarësimi i Kosovës në NATO. Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pa ndalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”, ka nënvizuar, Ramush Haradinaj.
