Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka vizituar përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në Prishtinë. Ai ka thënë me këtë rast se kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë themelet e shtetit të Kosovës. “Kategoritë e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dëshmorët e të gjitha kohërave, Invalidët, veteranët, familjet e martirëve, të pagjeturit, të burgosurit politikë e të persekutuarit, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, janë edhe dhembja edhe krenaria jonë. Ata janë testamenti ynë, themeli ynë për të ardhmen. E vërteta e kategorive të lirisë është e të gjithë neve. Ata që nuk janë të vërtetë nuk janë të asnjërit prej nesh. Por, të shfrytëzohen të pavërtetit për të turpëruar të vërtetit, është e papranueshme, është mallkim për brezat”, ka shkruar Haradinaj në një postim të tij.