Agim Shahini, kryetar i Aleancës së Bizneseve në Kosovë, ka thënë se bizneset në vend janë të dëmtuara shumë nga pandemia COVID-19. Ai theksoi se pos pandemisë vendi po kalon dhe nëpër një krizë të madhe politike. “Kriza e koronavirusit është në proces ndërsa nga kriza politike u dëmtuan qytetarët pasi për një vit u ndryshuan tri qeveri, tre kryeministra dhe kjo për demokracinë e Kosovës ishte diçka e re dhe do të mbahet mend si diçka që nuk do të duhej të përsëritej prapë. COVID-i ka shkatërruar ekonominë, supozohet se Kosova humbi një qarkullim të brendshëm mbi 1 miliard e 500 mijë euro. Po ashtu, gjatë vitit të kaluar Kosova humbi mbi 50 për qind të investimeve të huaja dhe humbi edhe remitencat”, ka thënë ai.
