Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar heroin e kombit, Sali Çekaj, në 25-vjetorin e rënies. Haradinaj po ashtu ka kujtuar edhe bashkëluftëtarët Shefqetin, Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun e Leonardin. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës. Haradinaj ka thënë me këtë rast se batalioni “Atlantiku” iu përgjigj kushtrimit për lirinë e atdheut. Në këtë ditë, kujtojmë trimërinë dhe sakrificën e batalionit ‘Atlantiku’, të cilët iu përgjigjën kushtrimit për lirinë e atdheut. Flijimi i tyre është frymëzim për brezat që vijnë, për ta ruajtur lirinë me çdo çmim. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, ka shkruar Ramush Haradinaj.