Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha ka kërkuar që qeveria e re të ketë kujdes me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka shfaqur bindjen e tij se nuk pret ndryshim të qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, por u bëri thirrje zyrtarëve të të dyja vendeve të angazhohen për të përmbushur detyrimet e tyre. “Qëndrimet e Amerikës ndaj Kosovës nuk do të kenë luhatje aspak, por duhet të jenë të përgatitur që të bashkëpunojnë me administratën e presidentit Trump, pasi do të jetë në favor të shqiptarëve “vetëm se ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë. Këtu do të thotë shumë ndershmëria dhe largpamësia e qeverisë së ardhshme dhe raporti i tyre me Perëndimin dhe në veçanti me SHBA-të. Gjithmonë duhet të jemi në të njëjtën faqe me Departamentin e Shtetit”, ka thënë mes tjerash për “Zërin e Amerikës” kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha.
