Arritja e një kompromisi mes Kosovës e Serbisë është imediate dhe e nevojshme, tha Christoph Heusgen, kryetari i Konferencës së Mynihut në një intervistë për Dojçe Vele, në Berlin. Ai nënvizoi se tani duhen zbatuar Marrëveshjet e Brukselit dhe sidomos marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe. “Është më urgjent se kurrë që të gjejmë një zgjidhje”, tha ai. “Ne shpresojmë tani në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku kemi përfaqësues të Kosovës, kemi përfaqësues të Serbisë, kemi përfaqësues edhe të vendeve që po ndihmojnë për këtë konflikt, që të bëjmë progres. Unë besoj se çfarë ka rëndësi tani është që të zbatojmë me kujdes marrëveshjet e Brukselit, që janë bërë në të kaluarën. Sipas mendimit tim, është veçanërisht i rëndësishëm realizimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë”, tha Heusgen.
