Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka arritur sot marrëveshjen me SBASHK-un, që parasheh ndërprerjen e grevës, në mënyrë që të hënën nxënësit t’i kthehen procesit mësimor. Sot në një konferencë për media së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, kryeparlamentari Veseli ka bërë me dije se procesi mësimor do të fillojë të hënën. Ai është shprehur i lumtur që nxënësit e Kosovës dhe mësimdhënësit nga e hëna do t’u kthehen shkollave.
Veseli ka thënë se të gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit u janë rritur pagat, duke u zotuar se kjo rritje do të vazhdojë ashtu siç ka premtuar së bashku me kryeministrin Haradinaj. “Nesër në Kuvendin e Kosovës do të miratojmë Projektligjin për pagat, i cili do të mundësojë rritjen e pagave për më shumë se 70 mijë punonjës të sektorit publik. Ashtu siç u kemi premtuar, pagat do t’u rriten të gjithëve: policisë, ushtrisë, shëndetësisë, arsimit, artistëve, administratës publike, asamblistëve të komunave, pensionistëve dhe gjithë punëtorëve tjerë”, ka thënë Veseli. Po ashtu Veseli ka siguruar të gjithë punëtorët e Doganës dhe ATK-së se statusi i tyre nuk do të preket.