Sipas njoftimit të Rakiqit, në takim thuhet të jetë diskutuar për riregjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në Kosovë, afati i fundit i përdorimit të të cilave përfundon më 31 tetor. Ai ka thënë se komandantit të KFOR-it i ka thënë se serbët nuk do t’i zëvendësojnë targat e përdorura deri më tani me targa të Republikës së Kosovës. Është dërguar mesazh i qartë se serbët nuk do të heqin dorë nga targat që kanë përdorur deri më tani, sepse janë të ligjshme dhe legjitime dhe se ekziston një shqetësim i arsyeshëm për reagimin e mëtejmë të Prishtinës në këtë drejtim, tha ai. Ai vlerësoi se “gjendja e sigurisë është e paqëndrueshme” dhe se, siç shtoi ai, duhet bërë gjithçka që çështjet e hapura të Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut. Ai i kërkoi KFOR-it të sigurojë paqen dhe stabilitetin dhe të “bëjë gjithçka për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes”.
