Ekonomistët e vendit tonë janë shprehur të shqetësuar për shkallën e lartë të importit dhe prodhimin e vogël vendës, duke i fajësuar institucionet e Kosovës për mungesën e një strategjie të qartë për zhvillimin e prodhimtarisë vendëse. Kjo mungesë strategjie po ndikon negativisht në bilancin tregtar të vendit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar se rënia e eksportit është një shqetësim serioz dhe një alarm për institucionet e Kosovës. Ai kërkon që Qeveria të ndërmarrë veprime urgjente për të trajtuar këtë problem dhe për të parandaluar rritjen e mëtejshme të deficitit tregtar. Raporti ndërmjet importit dhe eksportit mbulohet vetëm me 14 për qind, dhe importi vazhdon të rritet si në sasi, ashtu edhe në vlerë,” ka thënë Rafuna.
