Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka takuar sot kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ku kanë trajtuar një sërë çështjesh me rëndësi, që kanë të bëjnë me zhvillimet politike në nivelin qendror dhe lokal në vend. Duke u nisur nga vizitat që Kryetari Krasniqi ka pasur gjithandej nëpër Kosovë, si dhe nga takimet e përditshme që kanë kryetarët e Degëve të PDK-së më bashkëqytetarët e tyre, në këtë takim, ata ndanë shqetësimin e përbashkët për rritjen enorme të numrit të qytetarëve që po largohen nga Kosova për shkak të qeverisjes së paaftë të nivelit qendror e cila nuk po mbështetë projektet e komunave si dhe nuk po realizon asnjë nga premtimet e shumta që kishte dhënë para qytetarëve. Për fat të keq, shifrat tregojnë që janë të rinjtë ata të cilët në masë të madhe e kanë humbur shpresën se mund ta zhvillojnë potencialin e tyre duke jetuar këtu. Kryetari Krasniqi theksoi se Kosova nuk do të mund të bëjë hapa përpara pa kapacitetet dhe energjinë e rinisë, e cila është motori i zhvillimit dhe avancimit të shtetit tonë. Ai tha se është obligim i secilit prej nesh për t’u angazhuar në rikthimin e besimit dhe shpresës te qytetarët në mundësitë që ofron vendi ynë. Kryetari Krasniqi dhe kryetarët e Degëve të PDK-së u dakorduan për nevojën e zgjerimit të komunikimit me të gjithë qytetarët, pa dallim, kudo nëpër Kosovë, për të parë nga afër nevojat dhe kërkesat që ata kanë, si dhe për të definuar mënyrat e adresimit sa më të mirë e më serioz të tyre.
Kontrolloni gjithashtu
Me 16 prill të vitit 1999 në zona të ndryshme të luftës janë përjetësuar dhjetra dëshmorë
Më 16 prill të vitit 1999 ka rënë heroikisht dëshmori e heroi i kombit, Shkëlzen …