Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë ka uruar gjithë qytetarët. Ai pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, derisa ka kujtuar sakrificën e atyre që kanë dhënë jetën për liri, ka nënvizuar se secili në këtë ditë duhet të frymëzohet e zotohet për të punuar më shumë për Kosovën. Ai ka kujtuar edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, duke uruar që ky të jetë viti i fundit që shënohet dita e pavarësisë pa prezencën e tyre. “Në këtë festë të madhe për vendin tonë, uroj gjithë qytetarët e Kosovës kudo që janë, gëzuar ditën e pavarësisë. Është një ditë e cila ka përmbyllur sakrificën e madhe të gjeneratave duke realizuar kërkesën që ka pasur populli ynë për dekada dhe secili prej nesh në këtë ditë duhet të frymëzohet e zotohet për të punuar më shumë për vendin tonë dhe për të bërë Kosovën tonë më të mirë. Shfrytëzoj rastin që para së gjithash këtë ditë t’ua uroj miqve tanë, liderëve dhe udhëheqëseve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë, filluar nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari Kadri Veseli, kryetari Jakup Krasniqi, deputeti Rexhep Selimi dhe gjithë të tjerët me urimin që të jetë ky viti i fundit që shënojmë ditën e pavarësisë pa prezencën e tyre”, tha Krasniqi.
