Kryetari i PD-së në Shqipëri, Sali Berisha, ka humbur në ankesën e tij të ushtruar kundër ndalesës për të hyrë në Britaninë e Madhe, nën dyshimet për lidhje kriminale. Berishës, iu ka ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar, qysh në vitin 2022, nën dyshimet se ka lidhje me krim të organizuar dhe korrupsion, të cilat ai i mohon. Ai e pati apeluar vendimin në Komisionin e Posaçëm për Apel në Londër, në muajin mars, duke thënë se ndalesa i është vënë mbi pretendime të pabazuara. Mirëpo, ky institucion e ka hedhur poshtë kërkesën e Berishës. Vendimi i Britanisë për t’ia ndaluar Berishës hyrjen në këtë shtet, pati ardhur një vit pasi atij i është ndaluar hyrja edhe në Shtetet e Bashkuara, nën dyshimet për korrupsion me abuzim me pushtetin. Berisha, 79-vjeçar, përballet me dyshime edhe në Shqipëri se e ka përdorur ndikimin e tij sa ka qenë kryeministër, në periudhën 2005-2009, në të mirë të burrit të vajzës së tij, lidhur me privatizim të një toke shtetërore. Berisha dhe e bija e tij hedhin poshtë këto akuza. Ai ndodhet nën arrest shtëpiak që në muajin dhjetor të vitit të kaluar, por prokurorët nuk kanë ngritur ende ndonjë padi.
