Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se ka vizituar drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qendrën e paraburgimit në Hagë. “Të fortë dhe krenarë për rrugëtimin e tyre për lirinë e Kosovës, ashtu si përherë, i pashë dy liderët historikë të Kosovës dhe të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjatë një vizite tejet emocionale që pata në Hagë. Ashtu siç besojmë në drejtësi, të gjithë besojmë se ata, bashkë me shokët e tyre çlirimtarë, po mbahen padrejtësisht atje, sepse lufta mbrojtëse e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër, andaj edhe e presim kthimin e tyre triumfues sa më parë” ka shkruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
