Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot ishte për fushatë zgjedhore në Shtime, ku tha se atje pa vullnet e mobilizim të qytetarëve për kandidatin e kësaj partie, Naim Ismajlin. “Për vite me radhë, Shtimja ka krijuar perspektivë për zhvillimin e potencialit të rinisë, ka ofruar zhvillimin e ekonomisë, ndërmarrësisë, arsimit, sportit dhe kulturës”, tha Krasniqi në llogarinë e tij në “Faceobok”. Tutje, ai tha se të gjitha të arriturat e qytetit të Shtimes kanë vulën e PDK-së dhe të Naim Ismajlit. “Andaj, fitorja bindëse e PDK-së me 17 tetor në Shtime, është e pashmangshme”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka qëndruar sonte në Lipjan, ku me kandidatin për kryetar Hyzer Rizani ka shpalosur planin e PDK-së për qeverisjen e Lipjanit. Memli Krasniqi është shprehur se Lipjani viteve të fundit ka njohur vetëm stagnim dhe degradim, andaj ka nevojë për qeverisje të mirë dhe transparente, të cilën nga 17 tetori do t’ia sjellë PDK-ja me kryetarin Hyzer Rizanin. “Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës është më se e vendosur për t’u rikthyer e për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes, për t’ia ndërruar Lipjanit profilin dhe për ta nxjerrë atë në tjetër nivel. Këtë do ta bëjmë të mundur me kryetarin Hyzer Rizani, një njeri i përkushtuar për komunitetin dhe qytetin, i cili do ta shndërroj Lipjanin në qytet kampion në hartën zhvillimore të Kosovës.”, shkruan ai.