Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se zgjedhjet e 9 shkurtit kanë shënuar një rënie të qartë të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ai e ka cilësuar këtë rezultat si një fitore të qytetarëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, refuzuan autoritarizmin dhe përqafuan ndryshimin. Molliqaj ka theksuar se, ndonëse rezultati i zgjedhjeve është inkurajues për opozitën, procesi i formimit të qeverisë mbetet i hapur. Ai ka nënvizuar se suksesi do të jetë i plotë vetëm nëse qeveria e re formohet pa Albin Kurtin në krye, duke argumentuar se çdo përfshirje e tij në ekzekutiv do të rrezikonte fitoren e demokracisë dhe do të zvarriste përparimin institucional. “Verdikti i qytetarëve nuk lë hapësirë për interpretim: Kosova Babë nuk ka. Duhet ta shndërrojmë zërin e qytetarëve në realitet, duke ia mbyllur dyert e Qeverisë autoritarëve një herë e përgjithmonë,” ka deklaruar Molliqaj.
![Dardan Molliqaj](https://www.radiokosovaelire.com/wp-content/uploads/Dardan-Molliqaj1-660x330.jpg)