Kryetari i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, gjendet në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai është takuar me kryetarin, Bajram Begaj, me të cilin ka folur për thellimin e raporteve dypalëshe. Gjatë fjalës së tij, Begaj ka kërkuar nga Aliyev njohjen e Kosovës prej Azerbajxhanit dhe mos pengimin e saj në rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare. Për sa i përket rajonit tonë, i shpreha presidentit mik Aliyev qëndrimin se Kosova është tejet e rëndësishme për Shqipërinë. Stabiliteti dhe përparimi demokratik i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për ne, por për qëndrueshmërinë dhe përparimin e gjithë rajonit tonë. Ne inkurajojmë qeverinë e Azerbajxhanit që të mbështesë dhe mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, si në Këshillin e Evropës apo njohjen e dokumenteve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës. Jo më pak i rëndësishëm është bashkëpunimi ndër-parlamentar. Krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit duhet të ndiqet nga hapa të tjerë, që krijojnë mundësitë për intensifikim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve tona”, ka thënë, Bajram Begaj.
