leoni

Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekoruar dëshmorin, Ahmet Cami

Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekoruar dëshmorin, Ahmet Cami

Me datën 18 tetor 2019 , ora 12.00, në sheshin e shkollës 9 vjeçare “Ahmet Cami” në Gjoricë të Sipërme u zhvillua ceremonia e 76 vjetorit të rënies së dëshmorit Ahmet Cami.

Në këtë ceremoni përkujtimore organizuar në kuadrin e 75 vjetorit të çlirimit të atdheut morën pjesë veteranë dhe pasardhësit e veteranëve të LANÇ, nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Ahmet Cami” Gjoricë dhe Shkollës “Fasli Cami” Viçisht, familjarë dhe të afërm të dëshmorit Ahmet Cami , drejtues të pushtetit vendor, qytetarë dhe banorë të Gjoricës , Shupenzës, Bulqizës, Peshkopisë , Dibrës së Madhe etj. Morën pjesë gjithashtu kryetari i Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla, Zv Prefekti i Qarkut të Dibrës Avni Muliu, Administratori i Njësisë Administrative të Gjoricës Ilir Rama etj. Më hollësisht mbi jetën dhe veprimtarinë e dëshmorit Ahmet Cami foli e bija e dëshmorit, Tefta Cami.

Në emër të Bashkisë së Bulqizë dhe të pushtetit vendor foli kryetari i Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla, i cili ndër të tjera tha se është i lumtur që ndodhet në këtë ceremoni përkujtimore për të shprehur konsideratat për këtë figurë të shquar të LANÇ të zonës, për komandantin e çetës së Gollobordës, Ahmet Camin.

Në fund Shkolla 9 vjeçare Gjoricë në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Bulqizës dhanë një koncert artistik me këngë e valle patriotike, ku me interes u ndoq kënga kushtuar dëshmorit Ahmet Cami me tekst e muzikë të Xhevdet Dacit dhe e interpretuar nga Hajri Alimani.

Naslije Mulia

Kulla Hakik Hysës në Qa të Zall Dardhës, Bazë e Luftës Antifashiste Nacional Clirimtare

Kontributi në LANÇ i partizanit nga Zall Dardha Gani Hysa

Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ka heronjtë e vetë, por të tillë ishin dhe ata që besuan tek ajo, që bashkëpunuan me partizanët me çdo lloj forme, morën armët për liri dolën malit për çlirimin e Shqipërisë. Njëri prej tyre është Hakik Musa Hysa, lindur në fshatin Qa të ish komunës Zallë Dardhë, Dibër. Ai ishte një personalitet, burrë fisnik, shquhej për bujarinë në krahinën e tij dhe më gjerë dhe do t’i bashkëngjitej LANÇ në vitin 1944. Partizanët u pritën dhe qëndruan në kullën e tij për tre netë fal bujarisë, zemrës së madhe dhe të qenit patriot. Aty gjetën mbështetje duke nisur nga të ushqyerit, veshmbashje, mjekimin e plagëve etj. Kati i tretë i kullës u kthye në spital ku mjekoheshin të plagosurit e luftës. Kjo kullë ndodhet mbi kodër me muret të rrethuara si kala, prane kalasë së Zhugrit. Për këtë kullë e burrat e saj shkrimtari ynë i madh, Dritëror Agolli, në vepra Letrare nr.9 faqe 23-32 shkruan: “… Ngjitemi lart e më lart dhe arrijmë në fshatin Lashkizë që shtrihet në të dy anët e një përroi. Bashkëudhëtari im është nga Lashkiza. Ai me tregoi me gisht një shtëpi: – “Or ti shoq se nuk ta di as emrin, nji ajo shtëpi është e Hakik Hysës, tash ai ka vdek. Njëherë ishte një dimër e një borë e madhe. 60 partizanë kanë kaluar këndej e kanë dashtë me u takue me Këshillin e fshatit. Atëherë ka dal në prag Hakik Hysa dhe iu ka thënë: “Ç’ka ju duhet bre burra Këshilli!. Ejani brenda se është tuj iu marr frymën bora. …Ne jemi 35 vet në shtëpi dhe kena boll opinga”. E kështu Hakiku mori nga të shtëpisë, por dhe prej të afërmeve dhe iu pajisi të gjithë partizanët me opinga…”

Ky kontakt i Hakik Hysës me partizanët bëri që ai të besonte në çlirimin e Shqipërisë dhe të nxitonte të ishte pjesë e LANÇ duke angazuar veten dhe familjarët; djemtë Ganiun me bashkeshorten Sulbien, Shabani, Isufi, Mersimi Aqifi Musai; rejat Mihane Sulbie Fatime Dija e Safija. Hakiu falë moshës së thyer, do të angazhonte direkt në luftë djalin, Gani Hysën në brigadën e 4-të sulmuese që u themelua në Voskopojë të Korçës, ku ishte pjesë e luftimeve në jug të vendit. Gani Hysa mori pjesë dhe në çlirimin e Tiranës në betejat e përgjakshme të 14-15 nëntorit ku njëri nga bashkëfshatarët dhe bashkëluftëtarët e tij Maliq Topuzi “Dëshmor i Atdhehut”, ka dhënë jetë në krahët e tij. Madje dhe Ganiu është plagosur në këtë betejë. Gani Hysa kryente dhe rolin e dentistit në brigadën e 4-të sulmuese.

Pas çlirimit të Shqipërisë, Gani Hakik Hysa do të angazhohej në krijimin e institucioneve të para demokratike pas luftës. Ai do të zgjidhej kryetar i Këshillit të fshatit ku kishte miratimin dhe respektin e bashkëfshatarëve të tij. Gani Hysa bëri çmos që jo vetëm fëmijët e tij të arsimoheshin ku sot të gjithë kanë kryer studimet universitare, por ai sa ka mundur ka ndihmuar dhe bashkëfshatarët e tij që të ndiqnin po të njëjtën rrugë. Ganiu besonte se vetëm dija do të sillte ndërtimin e Shqipërisë. Gani Hysa për merita të vecanta për Çlirimin e Tiranës pas lufte është dekoruar me “Medaljen e Çlirimit”, dhe “Medaljen e Trimërisë”.

Nga Komisioni Qendror i Statusit të Veteranit më 24.04.1996, e firmosur nga Kryetari i Komisionit Alfred Mosiut, Gani Hysës i është njohur Statusi i Veteranit të Luftës kundër pushtuesve nazifashisë të popullit shqiptar.

Isuf Xhaferri , imazhi i Arrnorit….

Nga Zaim SEFA

Në plejadën e burrave të shquar të Fisit Sefa në Arren të Kukësit, përveç emërndriturve: Sali Tahir e Halë Sene, Brahim Sene e Musë Hasan, Sadik Meta e Misimajt, bën pjesë edhe Isuf Sefa i Xhaferr Isufajt.

Burri me shajak e qeleshe të bardhë, armë pati fjalën e urtë e të mençur, avokate kishte gojën, prokuror mendjen. Një personifikim që rrallëkush do ta kishte, jo vetëm në Arrën, por edhe në krahinat për rreth Lurë, Dardhë e Reç. Ky burrë i shquar ndër trashëgimtarët e Misimajve kishte paraqitje fizike të admirueshme. Ishte shumë fisnik.

Kishte dhe një tipar të rrallë, alegorinë dhe humorin e këndshëm mes miqsh e shokësh.

I lindur dhe rritur në një truall patriotësh, ai do të shquhej si zot shtëpie i shtëpisë së madhe dhe si përfaqësues i grupfisit në nahije. Kishte autoritetin që të përfaqësonte të moçmin dhe të sotmin. Pikërisht këtë burrë të rrallë fati e vuri në provë, për të qenë baba i dy kurorëve, që të rriste dhe dy jetimë, nga gruaja e parë që i vdiq.

Isuf Xhaferri (lindur më 1908 dhe vdekur më 1993) qe përballues i sfidave të mëdha. Burri i mençur e i kërkuar si i tillë nëpër zona, optimist për jetën, po me këtë mençuri e besnikëri do të lidhte miqësi me Adem Ahmetin në Kraj Reç, duke u kurorëzuar me të bijën e tij, Siben. Nga martesa e dytë, e bërë sipas zakonit sofra e tij u shtua dhe u bë 12, me gjithë mikun. Një shtëpi bese e bujarie, e sofrës dhe e kuvendit ku mbizotëronin autoriteti, krenaria e shumë virtytre që i trashëgonte Arrnori. Kjo familje njihet dhe për kontributin që ka dhënë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por me gjithë këtë kontribut, njëri nga djemtë e saj, vëllai i Isufit, Bafjtar Xhaferr Sefa, në vitet e mëvonshme do të vihej në shënjestër si një nga të “padisplinuarit” e fshatit. U organizua atëhere mbledhja e Organizatës së Frontit ku asistonte edhe Kryetyari i Degës së Punëve të Brendshme Çapajev Taçe (me gjithë grupin e ekzekutimit). Por kur Baftjari, insistonte t’i qëndronte versionit të tij, do të ishte zgjuarsia dhe mendjemprehtësia e të vëllait, Isufit, që do ta shpëtonte nga gjuetia e shtrigave. “Veni gishtin kokës Baftjar se nuk ka folë….., por ka folë……”, i tha Isufi që qëndronte nga fundi, tek shkallët e ish PTT ku po zhvillohej “gjyqi” popullorçe. Pjesëmarrësit u befasuan nga kjo ndërhyrje…Filloi e qeshura dhe çështja mori karakter zbutës e disiplonor brenda për brenda fshatit…

Sa e sa raste të tilla ka në këtë zonë kur është dëgjuar fjala e mençur, e urtë por dhe nga karakteri burrëror i Isuf Xhaferrit. Ai ishte dhe mbetet imazhi i Arrnorit. Ndaj dhe me drejtë i këndohet kënga: “Isuf Xhaferri burrë megjelisi, s’të harrojnë krahina e fisi”.

( VETERANI)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …