Kryetari i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se “Shigjeta ka dalë nga harku dhe do ta mbërrijë cakun”. Në këtë rrugë që kemi nisur jemi të gatshëm të paguajmë gjithçka. Ai riktheu në vëmendje marrëveshjet e shekullit të fundit, të cilat, Erdogan i quajti pazare të padrejta. “Ky qëndrim i vendit tonë i hap rrugë prishjes së llogarive të shekullore. Kjo është edhe arsyeja pse na sulmojnë, sepse prishja e këtyre hesapeve u sjell dhembje”.
Për këtë është i gatshëm edhe për përballje ushtarake.
“Armiqve tanë iu themi ja tek është sheshi. Ashtu siç shpirti është i lidhur me trupin edhe njerëzit dhe ushtarët janë të lidhur me këtë tokë, derisa të mbetet kufoma e fundit në këtë territor. Ne nuk heqim dorë nga kjo përpjekje. Për këtë arsye nuk hezitojmë fare që të japim dëshmorë”.
Erdogan u shpreh se Turqia ndihet e kërcënuar në rajon dhe për ato shtete drejtoi disa pyetje.
“A janë të gatshëm edhe ata që na dalin kundër në Mesdhe që të bëjnë të njëjtën sakrificë? I pranon populli grek ato që do të vuajnë për shkak të drejtuesve të tyre të papërgjegjshëm? E di populli francez se çfarë do të paguajë për shkak të drejtuesve të tyre të papërgjegjshëm”?
Kur foli për të ardhmen, Erdogan u kthye mbrapa në kohë.
“Ne dimë shumë mirë se ku kemi qenë. E di se çfarë qëndrimesh mbajmë sot si dhe çfarë kemi si synim në të ardhmen”. Ndërsa paralajmëroi fitore të rëndësishme në të ardhmen.
“Gushti është muaji i fitoreve. Kemi marrë shumë fitore për më shumë se 400 vjet. Në gusht fituam betejën e Mallazgirtit, pushtuam Beogradin dhe u zgjeruam në Perëndim. Bëmë edhe Qipron pjesë të tokave tona. Edhe përpjekjet tona për të mbrojtur kufijtë në jug dhe në det i nisëm në muajin gusht. Asnjë fitore në historinë tonë nuk është alternativë e tjetrës. Por e kundërta. Çdo fitore paralajmëron tjetrën, ka thënë mes tjerash në një prononcim, kryetari i Turqisë, Erdogan.