Kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Nazmi Viqa, së bashku me ekipin e tij, ka zhvilluar takime me kandidatët për kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj. Gjithashtu, një takim i tillë ishte planifikuar edhe me z. Albin Kurti, por për shkak të angazhimeve të tij të shumta, ende nuk është realizuar.
Takimet u organizuan me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë mbi programet e tyre ekonomike dhe vizionin për zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë këtyre diskutimeve, përfaqësuesit e Unionit theksuan rëndësinë e krijimit të një klime më të favorshme për bizneset, përmirësimin e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe adoptimin e masave konkrete për tërheqjen e investitorëve të jashtëm. Përfaqësuesit e Unionit ofruan gjithashtu rekomandime të bazuara në përvojën e tyre shumëvjeçare në sektorin e biznesit, duke apeluar për reforma që fuqizojnë sektorin privat, si shtyllë kryesore e ekonomisë. Rekomandimet e Unionit për kandidatët ishin të orientuara në këto aspekte: avancimi i politikave fiskale, plotësim-ndryshimi i Ligjit për Investime Strategjike, krijimi i zonave ekonomike, subvencionimi strategjik i bizneseve të reja prodhuese, ristrukturimi i sistemit arsimor në përputhje me nevojat e tregut, standardizimi i kushteve për hapjen e bizneseve të reja, aktivizimi i Këshillit Ekonomik Social, aktivizimi i Bordit të Ankesave për ATK dhe Doganë, pagesa e TVSH-së pas shitjes së mallit, stabilizimi i furnizimit me energji elektrike etj. Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me çdo qeveri të ardhshme në funksion të përparimit ekonomik dhe përmirësimit të lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe diasporës shqiptare.