Kryetari Ilazi: “ Viti 2017, vit i investimeve milionëshe në Kaçanik”

Kryetari i komunës së Kaçanikut Besim Ilazi në adresimin e fundit për vitin 2017 ,ju drejtua qytetarëve duke shtuar:

Të nderuar qytetar të Komunës së Kaçanikut

Në përmbylljen e vitit 2017, kam nderin dhe privilegjin që të ju drejtohem dhe të prezantoj para jush angazhimet, sfidat dhe të arriturat e vitit që po lëmë pas. Të nderuar qytetarë, më lejoni që të përmend disa prej dhjetëra të arriturave kryesore që janë shënuar gjatë këtij viti, si rezultat i përkushtimit të Komunës së Kaçanikut dhe institucioneve tjera qeveritare dhe jo qeveritare me të cilat kemi bashkëpunuar gjatë tërë vitit. E përmbyllëm vitin 2017, me shumë punë, angazhime e sfida, por edhe suksese. Kemi vazhduar edhe në 2017-tën, që të jemi në mesin e Komunave më transparente në Republikën e Kosovës si dhe të kemi shërbimet sa më efektive dhe të shpejta në administratën komunale. Mirëqenia qytetare ishte prioritet i yni edhe gjatë këtij viti. Shumë projekte kapitale komunale u realizuan gjatë këtij viti, pa lënë anash asnjë fshat apo lagje të qytetit. Investime u realizuan në Infrastrukturë rrugore, ndriçim publik, trotuare, instalim dhe rregullim të rrjeteve të kanalizimit, mirëmbajtje të rrugëve dhe ambientit, investime ne arsim, kulturë rini e sport si dhe në sigurinë publike, duke e konsideruar këtë vit si “Vit i investimeve milionëshe” në Kaçanik. Në vlugun e punëve të 2017-tës, u realizuan 31 projekte kapitale, u rregulluan 3327 m kanalizime fekale dhe atmosferike, 3170 m ndërtim të ujësjellësit, ndërsa këtë vit investuam edhe në ndërtimin e tri urave, investim që njëkohësisht simbolizon lidhjen e njerëzve me njëri tjetrin. Duke e konsideruar arsimin si njërin ndër fushat më me prioritet, edhe këtë vit jemi fokusuar në rregullimin e infrastrukturës arsimore, si parakusht për ngritje të cilësisë. Tre objekte të reja shkollore dhe një çerdhe publike, tashmë janë në proces të ndërtimit, ndërsa kemi përuruar aneksin e ri shkollor me inventar të kompletuar në fshatin Stagovë. Në sektorin e kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe këtë vit nuk kanë munguar projektet dhe aktivitetet e ndryshme. Ndërsa rregullimi i stadiumit të qytetit “Besnik Begunca” do të jetë një arenë moderne e futbollit për sportistët kaçanikas. Investimet nuk kanë munguar edhe në rregullimin e infrastrukturës shëndetësore, ku tashmë jemi në përfundim të ndërtimit të objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Kaçanik të Vjetër. Mirëqenia e kategorive sociale ishte në vëmendjen tonë, ku edhe këtë vit kemi vazhduar traditën e ndihmesës me ndihma momentale, ndërsa jemi duke punuar në ndërtimin e objektit për banim social, që do të lehtësoj barrën e familjeve të pastreha. Ndërsa vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe personave me nevoja të veçanta, ku në vazhdimësi kemi përkrahur aktivitetin e organizatave që punojnë për mirëqenien e tyre, duke i mbështetur edhe me mjete financiare. Edhe këtë vit kemi punuar nën frymën e bashkëpunimit me institucionet qendrore, ku vlen të përmendet bashkëpunimi i shkëlqyer me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe me shumë ministri të tjera, si dhe bashkëpunimi me organizata jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare që kanë synim krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët e Kaçanikut. Investimet e përkushtimi institucional nuk ka munguar edhe në administratë komunale, bujqësi e zhvillim ekonomik. Nëse në retrospektivë do të përpiqeshim të përshkruanim këtë vit, mund të themi se ky ishte një vit i sukseseve, vit i arritjeve dhe vit i angazhimeve për Komunën e Kaçanikut. Para vetes na pret një rrugë plot sfida, punë e përkushtim edhe për vitin 2018, por duke punuar së bashku në frymën e bashkëpunimit të mirëfilltë, jemi të bindur se viti 2018 do të jetë vit i mirëqenies së qytetarëve dhe vit i sukseseve të reja për Komunën e Kaçanikut. Uroj që viti i ardhshëm të jetë vit edhe më i suksesshëm për të gjithë ne.

Urime dhe me fat viti 2018,

Me respekt Kryetari i Komunës së Kaçanikut

Besim Ilazi

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …