Kryetari Jashari merr mbështetje bashkëpunimi në disa fusha gjatë vizitës në Zvicër

Në një vizitë që bëri Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari në Zvicër, u prit në mënyrë madhështore në Konfederatën e Zvicrës. Vizita filloi në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bern, duke vazhduar me pritje nga Kryetari i Komunës së Rapperswill-Jona të Kantonit të Gallen Martin Stöckling, ku u diskutua shkëmbimi i përvojave administrative ndërmjet të dy komunave, mundësitë për bashkëpunim ekonomik, tërheqje të investitorëve nga Zvicra dhe hapjes së përfaqësive të tyre në Komunën e Skenderajt. Me theks të veçantë u diskutua bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe shkëmbimi i përvojave në këtë fushë. Gjatë kësaj vizite Kryetari Jashari i shoqëruar nga homologu i tij Stöckling, vizituan kompaninë Weidmann, kompani kjo që merret me teknologji elektrike, ku u diskutua mundësia që kjo kompani të hap përfaqësinë e saj në Kosovë, respektivisht në Komunën e Skenderajt. Po ashtu Kryetari Jashari, u prit edhe në Shkollën e Lartë Teknike në Rapperswill, ku u diskutua rreth modaliteteve të bashkëpunimit me Shkollën Profesionale në Skenderaj. Gjithashtu në një agjendë të ngjeshur që kishte në këtë vizitë, Kryetari Jashari pati takim edhe me Kryeshefin Ekzekutiv të kompanisë EWL Technologies Jean-Cloud Beney, kompani kjo që fushëveprimtari të saj e ka riciklimin e mbeturinave të lëngëta dhe të ngurta, e më pas përdorimin e tyre për ngrohje. Dhe pas bisedës me Kryetarin Jashari, Beney shprehu interesimin e kësaj kompanie që të hap një përfaqësi në Skenderaj. Kryetari Jashari së bashku me Drejtorin e Arsimit Bekim Latifi, gjatë gjithë kohës ka qenë i shoqëruar nga stafi i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, si dhe krerët e shoqatës „Pro Kosova“, Akenbut Iballi dhe Naim Zeqiri, të cilët kanë qenë edhe iniciatorët e realizimit të kësaj vizite.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …