Kryetari i komunës së Malishevës Ekrem Kastrati, i ka njoftuar qytetarët lidhur me punimet që po ndodhin nga ana e KEDS për siguri të furnizimit të energjisë elektrike në territorin e komunës së Malishevës. Në njoftimin e tij thuhet: Të dashur qytetarë të komunës së Malishevës, Dëshiroj të ju informoj lidhur me ecurinë e punimeve që janë duke ndodhur nga ana e KEDS, në vendosjen e përçuesit të ri elektrik përgjatë linjës Malishevë – Rahovec, ku ju kemi njoftuar dhe kemi kërkuar mirëkuptim tuaj, rreth implementimit të këtij projekti, ku pa shmangshëm kemi pasur edhe reduktime të energjisë elektrike dhe vështirësi në funksionimin e punës së bizneseve. Por, për faktin se tani jemi në prag të fillimit të sezonit më të ngarkuar, ku edhe mërgata jonë nis të kthehet në vendlindje për pushimet e verës, si dhe duke marrë parasysh ngarkesat e qytetarëve dhe bizneseve me të cilat po ballafaqohen si pasojë e mungesës së energjisë gjatë ditëve që po punohet nga ana e KEDS në këtë projekt, si kryetar i Komunës kam marrë hapat e menjëhershëm, për adresimin sa më parë të kësaj çështje. Si rrjedhojë e kësaj, sot në Prishtinë kam zhvilluar një takim me përfaqësuesit e KEDS, dhe fatmirësisht kemi gjetur mirëkuptim, që nga fillimi i muajit Korrik deri në fund të muajit Gusht, mungesë të energjisë elektrike do të kemi vetëm një herë në javë (çdo të Martë). Edhe njëherë, me sinqeritetin më të lartë u shprehi mirënjohje të thellë qytetarëve dhe bizneseve që na kanë mirëkuptuar gjatë kësaj faze të punimeve, punime të cilat me përfundimin e këtyre dy muajve të verës, do të vazhdojnë me intensitet të shtuar veçmas në Shtator, derisa ky projekt të finalizohet plotësisht, në mënyrë që komuna e Malishevës të mos ketë edhe më tej probleme me energji elektrike, sidomos gjatë sezonit të dimrit.