Kryetari Kastrati mbajti takimin e parë publik me qytetarë për vitin 2024

Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe transparencës, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, mbajti sot takimin e parë publik me qytetarët për vitin 2024. Gjatë këtij takimi, ai prezantoi punën dhe angazhimet e qeverisë komunale në gjashtëmujorin e parë të vitit. Kryetari Kastrati, në mënyrë kronologjike, i paraqiti qytetarëve projektet dhe angazhimet kryesore të komunës, përkatësisht të qeverisë komunale, të cilën e drejton. Ai filloi me projektin madhor “Malisheva Urbane” dhe vazhdoi me prezantimin e projekteve në fushat e arsimit, infrastrukturës, shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe bujqësisë. Gjithashtu, ai përmendi edhe lirimin e hapësirës publike si një nga të arriturat e mëdha gjatë mandatit të tij, në drejtimin e Komunës së Malishevës. Kastrati shprehu mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve për mirëkuptimin dhe mbështetjen në realizimin e projekteve komunale. Ai gjithashtu diskutoi sfidat me të cilat përballet komuna, duke përfshirë çështjen aktuale të furnizimit me energji elektrike. Kryetari informoi se për shkak të investimeve në rrjetin energjetik, Malisheva po përballet me ndërprerje të gjata të energjisë. Megjithatë, ai njoftoi se ka arritur një marrëveshje me KEDS për të zvogëluar ndërprerjet gjatë verës, për të lehtësuar korrjen dhe grumbullimin e grurit, përballimin e temperaturave të larta dhe mbërritjen e mërgimtarëve. Pas prezantimit, Kryetari Kastrati iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve, të cilat kryesisht lidhen me nevojën për investime në infrastrukturë dhe çështje tjera të rëndësishme për komunitetin.

 

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …