Kryetari i komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati me rastin e ndarjes nga jeta të ish Luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Shala – komandant Ftyra, me anë të një postimi në faqen zyrtare në facebook, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe ka shprehur solidaritetin e thellë me familjen Shala, bashkëluftëtarët e tij, miqtë, shokët dhe të gjithë qytetarët që ndajnë këtë dhimbje të madhe.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Shala – Komandant Ftyra, ish-ushtar i Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.
Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Malishevës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë të thellë me familjen Shala, bashkëluftëtarët e tij, miqtë, shokët dhe të gjithë qytetarët që ndajnë këtë dhimbje të madhe.
Kontributi i Naser Shalës në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është pjesë e çmuar e historisë sonë të lavdishme për liri dhe pavarësi. Ai do të kujtohet gjithmonë me respekt të thellë për trimërinë, përkushtimin dhe sakrificën e tij të jashtëzakonshme dhe të familjes së tij në shërbim të atdheut.
Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjen dhe bashkëluftëtarët, duke lutur që Zoti t’ju japë forcë e durim për të përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme.
Lavdi jetës, veprës dhe sakrificës së Naser Shalës – Komandant Ftyra!