Kryetari Kastrati viziton atletin Grevist Bytyçi, përfaqësuesin e parë të Kosovës në Lojërat Paraolimpike “Parisi 2024”

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Fitim Shala, kanë vizituar sot atletin malishevas Grevist Bytyçi gjatë përgatitjeve të tij për Lojërat Paraolimpike “Parisi 2024”. Grevisti është atleti i parë që do të përfaqësojë Kosovën në këto gara, duke hyrë në histori si i vetmi sportist nga vendi që ka arritur këtë normë olimpike. Gjatë vizitës, Kryetari Kastrati u informua nga trajneri i Grevistit, Adrian Mazreku, dhe nga vetë atleti për përgatitjet e fundit përpara nisjes për në Paris. Të dy konfirmuan se përgatitjet po ecin shumë mirë dhe se Grevisti është gati për të përfaqësuar Kosovën me synimin për të arritur rezultate të shkëlqyera. “Ne si Malishevë, jemi krenar për Grevistin, sepse ai do të jetë përfaqësuesi i parë kosovar dhe i vetmi deri më tani që merr pjesë në nivelin më të lartë të Lojërave Paraolimpike. Ai është shembulli më i mirë se, pavarësisht rrethanave, njeriu mund të arrijë gjithçka në jetë, përfshirë edhe pjesëmarrjen në këto lojëra, që për shumicën e njerëzve është vetëm një ëndërr,” tha kryetari Kastrati gjatë vizitës. Sipas trajnerit Mazreku, Grevisti do të garojë në disiplinën e vrapimit 1500 metra, me garën që do të zhvillohet më 31 gusht. Ai synon jo vetëm pjesëmarrjen, por edhe medaljen, duke u bërë kështu një shembull frymëzimi për të gjithë. Grevisti, i mbushur me optimizëm për rezultatet e ardhshme, falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, duke përfshirë kryetarin Kastrati dhe drejtorin Shala, për përkrahjen e tyre të vazhdueshme, e cila e motivon për të arritur më të mirën.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …