KRYETARI I KLINËS, SOKOL BASHOTA PRITI AMBASADORIN E FRANCËS, DIDIER CHABERT

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, është takuar me ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin ka biseduar për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me Komunën e Klinës. Ambasadori Chabert është interesuar për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, aspektin socio-ekonomik, autostradën në drejtim të Pejës që kalon nëpër Klinë dhe zhvillimin e mësimit në gjuhën franceze. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka falënderuar ambasadorin francez në Kosovë për vizitën dhe e ka njoftuar atë me numrin e banorëve të Komunës së Klinës, pozitën gjeografike dhe të arriturat e deritashme sidomos në fushën e arsimit ku janë krijuar kushte shumë më të mira për zhvillimin e procesit mësimor. “Është interes shtetëror që gjithë qytetarëve t’iu krijohen kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike duke shmangur çdo mundësi për ekses. Klina është e gatshme për zgjedhje”, ka thënë Bashota. Sipas tij, Klina është një shembull i mirë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në aspektin fetar pasi që toleranca fetare është shumë e mirë. Në Klina tash e disa vite nuk ka pasur eksese ndëretnike të përshkallëzuara. Sa i përket zhvillimit ekonomik në Komunën e Klinës, Bashota pohoi se në këtë komunë veprojnë kryesisht biznese të vogla dhe të mesme. “95 për qind e tokës së Klinës është bujqësore, ndërsa 5 % me guri gëlqeror. Kemi rezervat e linjitit më të mëdha në Evropë. Perspektiva është në zhvillimin e bujqësisë dhe komuna dhe qeveria kanë ndihmuar fermerët në këtë fushë”, theksoi Bashota. Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, ndër të tjera tha se Klina është një qytet i rëndësishëm në Kosovë. “Klina është një qytet emblematik i tolerancës fetare”, tha ambasadori francez. Ai pohoi se Franca është e gatshme të ofrojë mbështetje në trajnimin e mësimdhënësve që ligjërojnë gjuhën frënge në shkollën e mesme në Klinë si dhe hartimin e doracakeve shkollorë të teksteve në MASHT. “ Rinia është e ardhmja e një vendi. Ne do të angazhohemi në trajnime të mësimdhënësve që të punojnë me metoda bashkëkohore”, theksoi ambasadori Chabert. Kryetari Bashota, ndër të tjera kërkoi nga ambasadori francez që të angazhohet për hapjen e një kabineti për gjuhën frënge në Gjimnazin “ Luigj Gurakuqi” , ndërsa ambasadori Chabert, u zotua se do të bisedojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për të parë mundësinë e realizimit të një projekti të tille.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …