Kryetari i Komunës së Klinës, shtron iftar për besimtarët myslimanë

Me rastin e muajt të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, i ka bërë bashkë myslimanë e katolikë në iftarin e shtruar në oborrin e objektit të Komunës. Për ta bërë edhe më kuptimplotë këtë iftar, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi me bashkëpunëtorë. Përveç përfaqësuesve të Bashkësisë Islame, iftarin e shtruar nga kryetari Bashota, e kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre edhe përfaqësues të klerit katolik, Famullitari i Pejës, Don Fran Sopi, pastaj, Don Bardhec Zymi famullitar në Gllaviçicë, si dhe Famullitari i Klinës, Don Lorenc Sopi, bashkë me prijës tjerë fetarë katolikë, të cilët ishin ulur për të darkuar me përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, Mulla Xhevat Kryeziu, mulla Alia, kryetarit të BIK-ut në Klinë, Kadri Berisha, imam Fitim Bojaj, Blerim Musliu e Hetem Desku, si dhe besimtarë të shumtë myslimanë, që ju kanë përgjigjur thirrjes së Kryetarit për këtë darkë-iftar. Ftesës i janë përgjigjur edhe paqeruajtësit sllovenë të KFOR-it.

Kryetari i Klinës Sokol Bashota, ka marrë lëvdata të shumta për këtë iftar të përbashkët duke çmuar shumë lartë angazhimin e tij për të ruajtur tolerancën fetare për të cilën Klina tashme është shumë e njohur në Kosovë dhe me gjerë. “Ky iftar i shtruar për nder të gjithë atyre që kanë agjëruar dhe me pjesëmarrjen edhe të vëllezërve tanë të besimit katolik, ka një mesazh jo vetëm për qytetarët e Klinës, por edhe i dëshmojmë gjithë botës së ne shqiptarët të të gjitha besimeve janë 99 fije që na bashkojnë dhe një fije që nuk na ndan, por vetëm na dallon. Ne gjithmonë do të jemi bashkë sikur sonte në këtë iftar. Kemi pasur raste që në evenimente të ndryshme të besimeve të ndryshme katolik apo mysliman të jemi bashkë me priftrinjë e hoxhallarë të cilët i falënderoj, sepse kanë dhënë mesazhin me të mirë të mundshëm për Komunën e Klinës se këta janë bashkë gjithmonë, ritet i bëjnë ndaras por flasin e mendojnë, punojnë shqip. Dhe si të tillë ata e duan një vëmendje më të madhe institucionale”, ka thënë Bashota, i cili në vazhdim theksoi: “Sikur sonte do të kemi rastin të jemi prapë bashkë, se në luftën e fundit të UÇK-së dhe gjitha përpjekjet për liri populli shqiptar pa dallim feje apo krahine ishte bashkë në luftë kundër pushtuesve andaj, kemi 1 milion arsye që sot të jemi bashkë dhe të përçojmë mesazhe se ne dimë të punojmë dhe ndërtojmë ketë vend të tolerancës ndër fetare; këtë vend, i cili do të jetë së shpejti në hap me shtetet e Bashkimit Evropian”, ka pohuar Bashota. Sipas kryetarit të Klinës, Sokol Bashota, ky bashkim, besoj shumë shpejt do të na bëjë të ecim me hapa të barabarte me të gjitha shtetet demokratike. “Ata që sot nuk janë në mesin tonë, janë gurthemel i shtetit të Kosovës”, ka konstatuar ndër të tjera kryetari Bashota.

Kadri Berisha kryetar i BIK në Klinë, Mulla Xhevat Kryeziu dhe Don Frana, e kanë vlerësuar lartë këtë eveniment që ka organizuar kryetari Sokol Bashota, që ka bashkuar myslimanë e katolikë si vëllezër të një gjaku për të festuar bashkë në këtë iftar.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka falënderuar kryetarin Bashota, për këtë mbrëmje të përbashkët. “ Kryetar Bashota, faleminderit shumë për këtë që ke bëre. Nuk ka shtet në botë që mund të bëjë këtë që ka bërë kryetari Bashota. Nuk ka asgjë më mirë se sa me e respektuar njëri – tjetrin dhe me e respektuar fenë e njëri – tjetrit. Klina është një shembull për gjithë botën për tolerancë fetare. Kënaqësia për të qenë bashkë, ia shton vlerën festave tona. Harmonia fetare është vlerë e jona e veçantë, kështu do të mbetet”, tha në fund Veseli.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …