Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi: Jemi populli më pro-NATO dhe pro-BE në rajon e më gjerë

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi: Jemi populli më pro-NATO dhe pro-BE në rajon e më gjerë

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiq, kanë pritur sot ambasadoren e SHBA-së në NATO, Kay Bailey Hutchison dhe ambasadoren e Britanisë së Madhe në NATO, Sarah MacIntosh, me të cilat ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë në zhvillimet në sektorin e sigurisë. Ai duke falënderuar për vizitën ka treguar për të arriturat e Kosovës në konsolidimin e shtetit në të gjithë sektorët.

“Zgjedhjet e suksesshme komunale, të standardeve më të larta, si dhe përmbyllja e shtrirjes së sistemit juridik të Kosovës në tërë territorin e Kosovës janë të arriturat e fundit. Ndërsa zhvillimi ekonomik, forcimi i sundimit të ligjit, dialogu dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore janë angazhim i yni i përhershëm”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke theksuar se roli i NATO-s është i pazëvendësueshëm për paqen në Kosovë dhe në rajon, presidenti Thaçi u shpreh se janë plotësuar kushtet që edhe Kosova të formojë forcat e saja të armatosura që të lirojë NATO-n nga barra e mbajtjes së paqes në rajon. Ndërsa për procesin e transformimit të FSK-së, presidenti Thaçi u shpreh se ky proces do të jetë transparent, i koordinuar me partnerët e Kosovës dhe shtoi se Kosova do të implementojë të gjitha kriteret e kërkuara për transformim të suksesshëm të FSK-së.

“Do të jetë forcë e standardeve të NATO-s, multi-etnike, në shërbim të të gjitha komuniteteve. Jemi populli më pro-NATO dhe pro-BE në rajon e më gjerë”, u shpreh presidenti Thaçi duke shtuar se “politikat tona janë konform këtij orientimi”.

Kryeministri Haradinaj u shpreh se “orientimi i qytetarëve të Kosovës është i qartë, drejt vlerave euro-atlantike, dhe ky është udhërrëfyes për përpilimin e politikave qeverisëse”. Duke folur për transformimin e FSK-së dhe afrimin me NATO-n, Haradinaj u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përmbyllë infrastrukturën e sigurisë dhe të paqes në Kosovë dhe në rajon. Kryeministri Haradinaj shtoi se reformat gjithëpërfshirëse, forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i sigurisë së qytetarëve janë prioritet i përhershëm i qeverisë.

Zëvendëskryeministri Jevtiq u shpreh i kënaqur që “vota në zgjedhjet e fundit ishte votë për politikat e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës”.

Ambasadorja Hutchison u shpreh e lumtur që të gjithë liderët e Kosovës flasin me një zë për projektin e Kosovës në të cilën të gjithë qytetarët do të jenë të lirë e të barabartë dhe shtoi se mirëpret thellimi e marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën.

Ambasadorja MacIntosh në anën tjetër u shpreh se Kosova gëzon mbështetje të vazhdueshme për perspektivën e saj euro-atlantike dhe mirëpriti përkushtimin e Kosovës për forcim të sundimit të ligjit, për dialog dhe për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore.

Kryetari Thaçi në fund të takimit u shpreh i kënaqur me përkrahjen e shprehur dhe inkurajimin e marrë nga partnerët e Kosovës. “Po punojmë që Kosova të jetë storie e suksesit për të gjithë”, përfundoi kreu i vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …