Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i cili po qëndron në Kosovë në vigjilje të festës së 28 Nëntorit, në vizitën e tij të parë zyrtare në cilësi të kreut të legjislativit shqiptar. Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, homologët Veseli e Ruçi kanë diskutuar për mundësitë e avancimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve dhe vendeve në përgjithësi, në funksion të lehtësimit të qarkullimit të dyanshëm, të shkëmbimeve tregtare e arsimore, përvojave parlamentare etj. Duke uruar kryetarin Ruçi për detyrën e re në krye të parlamentit shqiptar, Veseli ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Shqipërisë po i jep Republikës së Kosovës në politikë, diplomaci, kulturë, siguri, sport etj. “Me Shqipërinë asgjë nuk na ndanë, na bashkon gjithçka. Zëri i saj është dhe do të mbetet avokati dhe zëri me argumentues i kauzave tona politike në rajon dhe në sferën ndërkombëtare”, ka theksuar Veseli. Ai ka thënë se përcaktimi shtetëror i Kosovës është integrimi në BE dhe në NATO, procese këto në të cilat, siç tha kryetari Veseli, përvoja e Shqipërisë është e domosdoshme.
Më tutje Veseli ka shtuar nevojën e një bashkëpunimi më të avancuar për heqjen e barrierave burokratike, për rritjen e shkëmbimeve tregtare, rritja e investimeve te përbashkëta, zgjidhjen e çështjeve te arsimit, diplomatike dhe temave tjera praktike te interesit të përbashkët. Në funksion të kësaj, ishte dakordim i të dy kryetarëve krijimi i një komisioni të përbashkët parlamentar, i cili do të krijonte lehtësira të mëdha për studentët e të dyja vendeve, si në njohjen reciproke të diplomave dhe të studimeve, ashtu edhe të shkëmbimeve të studentëve. “Nga viti i ardhshëm akademik, studentët e Universitetit ‘Isa Boletini’ nga Prishtina mund të ndjekin një semestër të studimeve në Universitetin ‘Ismail Qemali’ të Vlorës dhe anasjelltas”, ka thënë kryeparlamentari Veseli. Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, nga ana e tij, është shprehur i kënaqur me përparimet në Kosovë dhe me punën që po bën Kuvendi i Kosovës, ndërsa përgëzoi spektrin politik vendor për pjekurinë e treguar në procesin zgjedhor të 22 tetorit. Duke folur për raportet midis dy vendeve, Ruçi ka thënë se në mbledhjen midis dy qeverive që do të mbahet në fund të nëntorit në Korçë, pritet që të zgjidhen shumë çështje të mbetura pezull mes të dyja shteteve.