Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Brestoc. “Brestoci nuk ka vetëm numrin e madh të të martirizuarve, por nga ky fshat kanë dalë shumë luftëtarë e veprimtarë, të cilët e kanë nderuar emrin e tyre dhe të vendlindjes. Po ashtu, në fushë të nderit kanë rënë shumë dëshmorë, lavdia e të cilëve qëndron si fllad pranveror mbi këtë vend. Lufta jonë për liri nuk ka pushuar asnjëherë, sepse pushtuesit e kanë zëvendësuar njëri-tjetrin dhe secili ka qenë më i egër se tjetri. Ndonëse kanë përdorur metoda nga më çnjerëzoret dhe më të ashprat, njeriu ynë gjithmonë ka gjetur forcë për të mbijetuar në tokën e të parëve. Dora vrastare, ata që na vranë për një shekull me radhë, vazhduan ritualin e tyre të vdekjes edhe në këto lugina të këndshme ku pikoi djersa e gjyshërve tanë dhe ku gatuhej me ëndje buka e fituar me mund e me punë të ndershme. Lavdi 5 dëshmorëve e 49 martirëve të Brestocit!”- u shpreh Kryetari Latifi.