leoni

Kryetari Latifi ka dekoruar me titull “QYTETAR NDERI” i Rahovecit, gazetarin dhe publicistin gjerman z. Erich Rathfelder

Kryetari i Komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi të premtën në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Rahovecit ka dekoruar me titull “QYTETAR NDERI” i Rahovecit, gazetarin dhe publicistin gjerman z. Erich Rathfelder.Fjala e Kryetarit Latifi me rastin e ndarjes se dekoratës:  Mysafirë të nderuar, të respektuar miqtë tanë Erich e Amela Rathfelder, shokë e bashkëpunëtorë, të nderuar anëtarë të Kuvendit të Komunës së Rahoovecit, kryesues i Kuvendit, z. Zenuni, përfaqësues të klerit dhe ju të pranishëm, sot kam një emocion të veçantë, sepse në mesin tonë kemi një personalitet të fortë, një njeri që i bëri jehonë luftës dhe sakrificave tona për liri e pavarësi. Më lejoni që në emrin tim dhe tuajin, ta përshëndes ngrohtësisht publicistin gjerman, Erich Rathfelder dhe bashkëshorten e tij, Amela. Shumë rrallë ka ndodhur që popujt e robëruar për një kohë të gjatë ta fitojnë vetë lirinë pa ndihmën e miqve dhe të aleatëve. Historia na ka dëshmuar katërcipërisht se motivi i të shtypurve e të të persekutuarve gjithmonë është i madh, por ndonjëherë nuk korrespondojnë dëshirat dhe mundësitë. Populli ynë përjetoi shumë dhunë e represion, persekutim, dëbim e vrasje, gati deri në asgjësim kolektiv. Përjetoi gjenocid e përndjekje të vazhdueshme. Gjatë Luftërave Ballkanike, çeko-austriaku Leo Frojndlih, pati shkruar: “Një gjë është e qartë: armiku më i madh i serbëve është e vërteta. Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre”.

Ky diplomat e gazetar pati denoncuar gjenocidin serb mbi shqiptarët dhe e njihte mirë natyrën barbare të serbëve. Mbështetur mbi këto të dhëna dhe fakte të tjera historike, austriakët u bënë aleatë të çështjes shqiptare dhe dihet se në atë kohë ka ekzistuar një aleancë austriako-gjermane, që iu kundërvu ekspansionit sllav në Ballkan. Shqiptarët gjetën strehë e mbështetje të vazhdueshme te populli gjerman, gjë që u dëshmua edhe në luftën e fundit 1998/99. Për ta shkundur politikën gjermane, u desh angazhimi i njerëzve me vullnet dhe të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe lirisë së popujve të persekutuar nga serbët, e njëri ndër ta është edhe miku ynë, Erich Rathfelder, reporter i gazetës “Tagescajtung”. Raportet e tij në fillim u morën me rezervë, mirëpo më pas faktet e prezantuara nga ai u bënë tronditëse për botën e civilizuar. Për qytetarët e Rahovecit, gazetari Rathfelder është ikonë e mirësisë dhe e miqësisë. Përjetimet e tij në Kosovë, që nga viti 1987 e këndej, sidomos gjatë luftës së fundit, e trandën opinionin publik në Gjermani e më gjerë, ndërsa propaganda serbe që i druhej të vërtetës, nuk la mjet e metodë pa përdorur që ta heshtte këtë zë kumbues. Nuk iu mjaftoi që vetëm ta shpallnin të padëshirueshëm (non grata), por edhe e kërcënuan me vdekje. Falë gjeturisë dhe përkushtimit të tij, ai i tejkaloi këto sfida dhe me librin e tij “Kosova, Historia e një konflikti”, ia dëshmoi botës fytyrën e vërtetë të një shteti gjenocidal që synonte të nënshtronte e madje të asgjësonte joserbët në territorin e ish – Jugosllavisë. Aleanca veri-atlantike NATO, i dëgjoi me shqetësim raportimet e këtij gazetari guximtar dhe propozimin e tij për ndërhyrje humanitare në Kosovë. Me faktet e prezantuara bëri që, çështja e Kosovës të mos trajtohet si “çështje e brendshme e Federatës Jugosllave”. Guximi i tij për t’u ballafaquar me një aparat shtetëror të organizuar, që propagandën dhe mashtrimin e kishte ndër sektorët më të sofistikuar. Erich Rathfelder e çmontoi këtë propagandë me fakte e dëshmi dhe botës ia prezantoi gjendjen reale në terren, ndjekjen dhe persekutimin e njerëzve të pambrojtur, asgjësimin e provave e të dëshmive dhe zhdukjen e gjurmëve të krimeve serbe mbi shqiptarët dhe myslimanët e Bosnjës.

Fatkeqësisht, masakra e Rahovecit e korrikut 1998, nuk do të jetë e vetmja në këtë komunë. Qytetarët e komunës tonë do të bëhen cak i sulmeve të milicisë, të ushtrisë e të grupeve paramilitare serbe. Vrasja masive e njerëzve të pambrojtur në Krushë të Madhe, Celinë, Fortesë, Nagavc, Hoçë e Vogël, Brestovc, Opterushë, Pastasel e në vende të tjera, do të bëhet larg objektivit të gazetarëve dhe të medieve botërore. Nuk do të jetë këtu një gazetar guximtar që do të rrezikojë duke hyrë në zonat e luftës dhe t’i dokumentojë këto krime të llahtarshme. Rathfelder do të bëjë punë të pakursyer në hulumtimin dhe paraqitjen e të vërtetës, do të lobojë te qeveria e shtetit të vet për të ndihmuar popullin tonë, bile do të jetë zë i artikuluar që me insistim, bashkë me kolegët e vet, që ta paraqesë të vërtetën edhe te qeveritë e tjera të shteteve demokratike perëndimore. Angazhimi i madh, z. Rathfelder pa dyshim se e bën pjesë të pandashme në procesin e çlirimit të Kosovës. Dhe, ai do të rikthehet triumfues bashkë me aleatët tanë të NATO-s dhe do ta shohë nga afër gjithë atë shkatërrim, vendet e vrasjes e të djegies së kufomave dhe dëmet e pallogaritshme të shkaktuara nga serbët. Në gjithë këto angazhime, ai do të merret me Kosovën edhe në kushtet e lirisë dhe të ndërtimit të paqes. Mbase do të ndiejë zhgënjim për ato që pa e përjetoi, por ai tani po vjen mes nesh në Kosovën e pavarur dhe që po përpiqet ta forcojë identitetin e vet shtetëror, ndonëse me shumë sfida e vështirësi. Të gjitha këto, dhe fakte të tjera, më kanë shtyrë që Kuvendit të Komunës së Rahovecit, t’i propozoj dhënien e dekoratës më të lartë komunale për publicistin gjerman, Erich Rathfelder. Anëtarët e Kuvendit, njëzëri e kanë votuar këtë propozim dhe unë jam i lumtur që sot mund t’ia dorëzoj këtë dekoratë, këtë titull nderi këtij miku të madh të shqiptarëve. Në të ardhmen, Erich Rathfelder do të jetë një njeri i lirë që mund të vijë te ne si në shtëpinë e tij dhe të ndihet i lirë të na thotë çfarë i pëlqen dhe çfarë duhet bërë ndryshe. Mendoj se, popujt që kanë miq janë të lirë dhe krenarë. Pandaj, e ftoj z. Rathfelder që ta pranojë këtë titull nderi “QYTETAR NDERI” i Rahovecit.

Faleminderit!

Smajl Latifi

Rahovec, 27 tetor 2023

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …